Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot, në një takim të veçantë, Kryeministren e Republikës së Polonisë, Beata Szydlo, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e Kryeministres polake në Shqipëri dhe e konsideroi këtë vizitë si një shprehje shumë domethënëse të marrëdhënieve tradicionalisht shumë të mira e miqësore mes dy vendeve.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu prezencën e grupit të biznesit në delegacionin e Kryeministres së Polonisë dhe shprehu besimin se kjo vizitë do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen, miqësinë dhe partneritetin që Polonia i ka ofruar Shqipërisë, si në kuadrin e anëtarësimit në NATO ashtu edhe përgjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen. Presidenti Nishani e siguroi Kryeministren Syzdo se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura për të vijuar në rrugën e reformave dhe përmbushur të gjitha standardet dhe kriteret që në afat-shkurtër do të mundësojnë hapjen e negociatave të aderimit në Union në një të ardhme të afërt.
“Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet objektimi ynë strategjik dhe më madhor”, u shpreh Presidenti Nishani.
Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, Presidenti i Republikës theksoi nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjithë sektorët që tashmë janë identifikuar nga ekspertët e të dy vendeve, ku bashkëpunimi në fushën ekonomike, të bujqësisë, turizmit, kulturës, arsimit, mbrojtjes e të tjera, duhet të shihen me shumë prioritet. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu me shumë interes për institucionet shqiptare edhe eksperiencën polake për dekomunistizimin e vendit, përmes dënimit të krimeve të komunizmit dhe të ideologjisë përkatëse në mënyrë institucionale, duke nxitur bashkëpunimin e institucioneve të të dy vendeve edhe në këtë aspekt.
President Nishani evidentoi rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal si dhe politikën e konsoliduar të fqinjësisë së mirë, duke vlerësuar gjithashtu kontributin e Polonisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe theksuar se: “pavarësisht se që nga pavarësia e Kosovës rajoni ka zhvillime shumë pozitive drejt bashkëpunimit dhe pajtimit dhe të pakrahasueshme me të shkuarën, ende paqja dhe stabiliteti janë të kërcënuara nga faktorë të tjerë jashtë rajonit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën e bashkëpunimit për çështjet e sigurisë që shqetësojnë si rajonin e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në tërësi të hapësirës evropiane, ku dy vendet bëjnë pjesë.