Roma nuk sheh vetëm drejt mesfushës. Verdhekuqtë janë takuar sot me menaxherin e mbrojtësit të përfaqësueses së Shqipërisë, Elseid Hysaj, që aktivizohet në Seria A me skuadrën e Napolit.
Ylli i kombëtares kuqezi, aktualisht në muaj mjalti, pas ceremonisë së bujshme martesore të realizuar në kalanë e Rozafës, mbetet një pikë e nxehtë e kësaj merkato vere.
Thuajse i sigurtë largimi nga Napoli, veçanërisht pas afrimit të Di Lorenzo në krahun e djathtë, Hysaj është përfolur shumë për një transferim të mundshëm te Juventus, aty ku tashmë është emëruar Sarri në rolin e trajnerit, por edhe te Atletico Madrid në Spanjë.
Gjithsesi, duket se futbollisti shkodran ka ngjallur interesimin edhe të klubit të kryeqytetit italian, Romës. Sikurse raporton eksperti i merkatos, Alfredo Pedulla, verdhekuqtë kanë vendosur këtë të hënë hapat e parë zyrtarë për mbrojtësin e Napolit. Transferimi i Hysaj te Roma është gjithsesi i pavarur nga fati i transaksionit për Manolas.
Discussion about this post