Pas ardhjes në krye të Bashkisë së Pogradecit nga zgjedhjet e 30 qershorit, të ish-deputetit socialist Ilir Xhakolli, Fax News ka bërë një vëzhgim në lidhje me lëvizjet e punonjësve të bashkisë, e cila drejtohej nga të djathtët.
Burime bëjnë të ditur se janë dorëhequr Polikron Balliu dhe Avdulla Cano, të dy në pozicionin e nënkryetarit. Ndërkohë 6 Administratorët janë zëvendësuar me urdhër të kryetarit, pasi është kompetencë e tij në bazë ligjit 139/2015 për vetqeverisjen vendore. Njëri prej tyre dha dorëheqjen, Administratori i Çerravës Dardan Canellari.
I dorëhequr nga drejtorët e ndërmarrjeve është Rruzhdi Hymetllari, i cili është dorëhequr, sektori gjelbërimit.
Kujtojmë se kreu i qeverisë Edi Rama, pak javë më parë deklaroi se në bashkitë që drejtoheshin më parë nga e djathta nuk është hequr nga puna asnjë person. Kryeministri Rama thekson sërish se më 30 qershor Shqipëria votoi për të drejtën dhe jo për të majtën.
“Deri tani askush s’është larguar nga puna në ish-bashkitë e djathta (përveç ca kokave të mëdha e të pagdhendura politike, që kanë ikur me dorëheqje) dhe do të largohet vetëm kush nuk do të dojë t’i futet punës; në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për të drejtën dhe unë do të bëj çmos që askujt të mos i mohohet padrejtësisht, e drejta për të treguar se e do dhe e bën si duhet, punën që ka”, përfundon Rama në rrjetet sociale.
(M.Q/Faxweb.al)