Në Shëngjin plazhi ka nisur dhe vendorët po tentojnë që të plotësojnë kushtet për turistët, edhe pse rëra në disa vende nuk është punuar ende.
Temperaturat e larta kanë sjellë në bregdet vendas dhe pushues nga Kosova. Çadrat e para po hapen në plazhin e Shëngjinit. Vizitorë vendas por edhe qytetarë të Kosovës nisën të frekuentojnë bregdetin.
Bashkia e Lezhës po monitoron situatën dhe po parashikon të tjera ndërhyrje gjatë kësaj periudhe. Burime nga kjo njësi vendore bëjnë të ditur se do të ketë shtim të punonjësve të shërbimeve në zonat turistike jashtë parashikimeve të bëra, dhe kjo duke iu referuar interesimit në rritje të vizitorëve e turistikëve.
Një prej biznesmenëve të zonës shprehet optimist në lidhje me këtë sezon, që këtë vit ka nisur pak me vonesë për shkak të motit që nuk ka qenë favorizues për plazh.
“Prisnim një punë të mirë, prenotimet janë mëse të mjaftueshme, gjysmën e strukturës e kemi të prenotuar, deri në mesin e shtatorit. Do ketë klientë më shumë se vitin e kaluar. Muaji dhe Prill kanë ndikuar shumë faktorë, qoftë votimet, por qoftë edhe koha. Në momentet që ne flasim jemi thuajse zero me punë. Më shumë ka ndikuar pjesa e motit, qyteti është i pastër”, shprehet një prej biznesmenëve.
Ndërkohë që numri më i madh i pushuesve që është shfaqur këtë të shtunë në zonën bregdetare vjen nga Kosova.
“Jemi në Shëngjin rregullisht, që prej 10 vitesh, kam apartament timin këtu. Besoj se do të merren të gjitha masat për të pasur një turizëm kualitativ. Në përgjithësi Shëngjini është i bekuar”, shprehet një turist që ka ardhur nga Prishtina.
Shumë prej pushuesve kosovarë shprehen se kanë banesa në Shëngjin, ndërsa kërkojnë një punë sa më të mirë, për pastrimin e vijës së bregdetit. “Tokën nuk e kanë përgatit fare”, shprehet një prej pushuesve.
Discussion about this post