Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj deklaron se niveli i ndotjes në Tiranë për vitin 2016 ka shënuar ulje. Të paktën krahasuar me vitet 2014 dhe 2015.
Sipas Veliajt, në ato zona ku niveli i ndotjes së ajrit është më i lartë, shkak është numri i lartë i automjeteve, cilësia e tyre, por dhe karburanti që përdorin.
“Lajmi i mirë është se kemi një përmirësim nga viti 2014, 2015, për vitin 2016. Viti 2016 në disa nga pikat kryesore që kanë qenë historikisht problematike të Tiranës, siç është “21 Dhjetori”, qendra e Tiranës, ka përmirësim. Imagjinoni, si do jetë raporti i vitit 2017, kur ne tani kemi gjithë qendrën pedonale! Raporti na tregon që në vendet ku ne kemi reduktuar lëvizjen me makina, ajri është përmirësuar. Nëse ne përdorim makinë, aq sa po e përdorim, në këtë qytet, sigurisht që do të çojë në më shumë sëmundshmëri”,është shprehur Veliaj në një prononcim për mediat.
Ndër të tjera, Veliaj ka deklaruar se njësitë vendore duhet të marrin më shumë kompetenca për të ulur ndotjen e ajrit dhe zhurmat në kryeqytet.
“Ne duhet të shohim menjëherë çështjen e cilësisë së karburantit që përdoret në Tiranë. Cilësia e naftës në Shqipëri, si një pjesë e madhe e ndotjes, vjen nga makina shumë të vjetra të cilat nuk djegin mirë karburantin. Këtu bëhet fjalë për ndotje të cilat i kemi në dorë t’i reduktojmë, ose me ligje më të forta të cilët stabilizojnë mënyrën se si digjet karburanti dhe çfarë karburanti përdoret në Shqipëri, ose me një kulturë që ndryshon gjithnjë e më shumë dhe duhet të mbajmë këtë trend”, është shprehur Veliaj.
Sakaq, kryebashkiaku ka kërkuar që qeveria t’i japë më shumë kopetenca bashkive lidhur me ndotjen akustike.
“Ne i kemi kërkuar qeverisë shqiptare që disa nga këto kompetenca ka ardhur koha t’ua kalojmë bashkive. Është shumë e vështirë që një qytetar të kuptojë, që kryetari i Bashkisë nuk e ka në dorë uljen e zhurmës së një lokali sepse e ka Inspektoriati i Mjedisit që është në varësi të Ministrisë. Një ministri, me gjithë respektin nuk mund të mbikëqyrë lokalet nga Tropoja deri në Sarandë dhe në Tiranë po ashtu. Kjo është një kompetencë që duhet t’i kalojë qartazi pushtetit vendor”, është shprehur kryebashkiaku. (D.D/Shuplaka)