Nga Denis Dyrnjaja*
Një ditë me zyshën time!
U ktheva 35 vjet shkuar, vesha përparësen e zezë, çantën me libra, (aso kohe ishin jo shpine, por çanta dore), nuk e mora sepse ishte një ditë pushimi. U nisa për në shkollë. Është 7 mars dhe është dita më e veçantë e vitit, jo vetëm se përkon me festën e mësuesit, por edhe se si çun që jam, është hera e vetme e vitit që marr një buqetë lulesh në dorë për t’ja dërguar mësueses sime, që unë i thërras zyshë Ivoni.
]Jam i shkujdesur ndërsa nxitoj rrugicave për të dalë shkurt te Shkolla “8 Vjeçare Mihal Grameno”, e cila ruan histori të gjatë të të parëve të mi, pasi nëna ime dhe vëllai im kanë qenë nxënës të kësaj shkolle gjithashtu. Mësuesit janë të gjithë të dashur, veçanërisht me ne nxënësit e klasës së parë, por ajo, zyshë Ivoni është më e mira, të paktën në përjetimin tonë që e kishim mësuese kujdestare. Shpesh herë më duket edhe më e mirë se nëna ime.
Nuk i mungon kurrë dashuria, edhe qortimin e ka si mirësi, edhe këshillimin plot butësi. Zysha ka një zë pak të ngjirur, por gjithmonë të veshur me një ton të kadifenjtë si melhem për prapësitë tona. Flet gjithmonë qetë dhe nuk bërtet asnjëherë. Nuk marr vesh shumë, nëse lulet që kam janë të bukura ose jo, por egoja dhe kureshtja që buqeta ime të jetë më e bukura më ka dhënë një adrenalinë që më bën të rend me vrap kthinave për në shkollë.
Dy pallate larg oborri i shkollës gumëzhin, sepse janë të gjithë jashtë për shkak të festës. Nuk ka mësuese me celular, as me veshje të shtrenjta, as me prepotencë a fodullëk, por ka shumë dashuri, thjeshtësi dhe mirësi që ka elektrizuar ajrin në shkollë. Mbërrij dhe shoh se të gjithë shoqet dhe shokët e klasës kanë bërë të njëjtën gjë si unë, kanë marrë nga një buqetë me lule. Futemi në klasë dhe të gjithë nisim të urojmë zyshën. Se kush prej nesh kërkon të urojë me mënyrën e vet, por të gjithë surprizohemi kur zyshë Ivoni na thotë se na ka ftuar në shtëpinë e saj.
Është gjëja më fantastike dhe një përjetim i pamenduar sepse do të na duhet të dalim si ekskursion. Shtëpia e zyshë Ivonit është te Kinema Agimi. Rrugës ecim tërë qejf, madje edhe të shkujdesur. Rrugët nuk janë me trafik, më shumë ka biçikleta sesa makina që i numëron me gishta dore. Aq të rralla janë makinat sa na japin mundësinë të luajmë edhe me targat e tyre. Rrugët kanë një hare që nuk dihet pse, ose kështu na duket neve.
Ndërsa mbërrijmë në pallatin e zyshës, nisim të ngjisim shkallët, ashensori është diçka sureale që nuk e njohim. Shkallëve ka komshinj që edhe na përshëndesin edhe bëjnë ndonjë humor me ne të vegjlit e përkëdhelur të zyshës. Në shtëpi na pret bashkëshorti i saj. Një profesor diku te të 60-at, me një këmishë të bardhë me vija bojëqielli dhe një jelek veshur, ndërsa flokët i ka me shumë onde, nga ato që rrezatojnë rreshta pa fund dijesh.
Na përshëndet një për një me një zë të butë dhe na fton të gjejmë vend e të ulemi në një shtëpi të mobiluar jo me orendi megalomane luksi, por me sende të thjeshta kur duket sikur çdo njeri prej tyre ka një histori të shkruar që duhet lexuar. Ka shumë libra në një bibliotekë murale gjigante dhe shtëpia ka një ajër që të jep ndjesinë e ngarkesës me dije, dashuri e mirësi pa fund. Jemi 26 nxënës e na duhet që ca te rrimë në kuzhinë e ca në dhomën e improvizuar të pritjes.
Zyshë Ivonit që nuk i mungon kurrë buzëqeshja edhe pse mbi supe ka 36 vjet si mësuese i duhet të kujdeset që askush prej nesh mos ndjehet keq në atë shtëpizë të vogël por me dashuri të madhe. Karamele Zana dhe Llokume,, ndersa pas tyre një gotë me shurup trëndafili na serviret plot mirësi ndërsa bashkëbisedimi vazhdon me zyshën dhe bashkëshortin e saj në një komunikim të shkujdesur historish e ngjarjesh personale e profesionale të tyre.
Është një ndër ato ditë që edhe pse jemi kaq të vegjël ata na bënë të ndihemi si bashkëmoshatarë të tyre. Ora vërtit akrepat minutë pas minute dhe kanë kaluar gati mbi 2 orë nga vizita jonë. Zyshës i duhet të vishet sërish për të na përcjellë deri në shkollë sërish aty ku dhe na mori për t’u shpërndarë nëpër shtëpitë tona.
Sigurisht që nuk kemi i-Phone për selfie por foto e kësaj dite është e stampuar në memorien e gjithkujt prej nesh sepse kur marrëdhënia është pa interes ajo nuk mbetet thjeshtë një mbresë, por skalitet thellë dhe përgjithmonë në kujtesë.