Një ditë larg hapjes së madhe, siç edhe është paralajmëruar, Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë gati për qarkullimin e automjeteve nga dita e nesërme. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka publikuar sot pamjet e punimeve të fundit nga kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore.
“Ndërkohë që kryeqyteti flinte, puna në kantierin e Unazës së Madhe nuk ndalet as gjatë natës së ftohtë. Vetëm 1 ditë larg hapjes së madhe”, shkruan Balluku në një postim në rrjetet sociale.
Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuara.
“Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Është një autostradë e cila është trajtuar me mobilim urban, pikërisht sepse kalon në zona të banuara dhe është një vepër infrastrukturore që për ne do të kthehet në një praktikë të mirë për t’u ndjekur sesi bashkërendimi i të gjithë aktorëve, por sigurisht edhe kontributi i ndërtuesve, mund të sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër”, është shprehur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë pak ditë më parë.