Një ditë pas aksionit në zyrat e kompanisë Bankers Petroleum puna vijon normalisht. Burime zyrtare bëjnë me dije se aktiviteti vijon pa ndërprerje edhe në fushën e Patos- Marinzës. Bankers pritet të dalë ditën e sotme me një deklaratë zyrtare ndërsa edhe Prokuroria do të ketë një njoftim zyrtar në lidhje me të arrestuarit dhe akuzat që rëndojnë mbi ta.
Në pranga është vënë numri 1 i kompanisë, Hongping Xiao. Ai drejton prej disa vitesh, aktivitetin e Bankers Petroleum. Drejtuesë të tjerë të niveleve të larta po ashtu janë arrestuar. Në total bëhet fjalë për 10 persona ndaj të cilëve gjykata kishte firmosur urdhërat e arrestit, mes të cilëve 4 në arrest shtëpie. Ndërkohë, 4 të tjerë, të gjithë kinezë, të emëruar nga kompania mëmë, janë shpallur në kërkim.
Bie në sy arrestimi po ashtu dhe i ish-drejtorit, Leonidha Çobo. Një fakt ky që tregon se hetimet mund të jenë shtrirë edhe përpara vitit 2016, kur Çobo la drejtimin e Bankers, asokohe nën drejtimin e kanadezëve të cilët po finalizonin transaksionet e shitjes për kalimin e pronësisë te kompania kineze.
Kompania Bankers, ka qenë shpesh në përplasje me autoritetet fiskale për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit shqiptar. Ndërsa me dhjetëra shoqëri shqiptare janë ankuar se për një kohë të gjatë nuk janë paguar nga Bankers, për shërbimet që i kanë ofruar kësaj kompanie.
Bankers po ashtu ka qenë në mënyrë të përsëritur në qendër të kritikave për mosrespektimin e parametrave mjedisor, apo për përdorimin e teknikave jo të përshtatshme në shfrytëzimin e nëntokës shqiptare.
Burimi i Patos Marinzës është më i madhi në Shqipëri. Siç edhe kompania vetë reklamon, ajo ka arritur të nxjerrë deri në 20 mijë fuçi në ditë, përpara rënies së çmimeve të naftës.
Bankers Petroleum hyri në tregun shqiptar në vitin 2004, pas firmosjes së një marrëveshjeje me autoritetet shqiptare për shfrytëzimin e burimit më të madh naftëmbajtës në bend, atë të Patos Marinzës.
Në vitin 2015, kompania kanadeze e listuar në bursë, nxori në shitje aksionet e saj. I gjithë transaksioni u finalizua në vitin 2016. Blerësi i kompanisë për një vlerë prej 407 milionë dollarësh, ishte kinezja GeoJade Petroleum Corporation, e njohur si një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë, e listuar në Bursën e Shangait, me një vlerë kapitalizimi të tregut më të madhe se 3.6 miliardë dollarë kanadezë.