Një ditë pas betimit të tij si ministër i brendshëm, Sandër Lleshaj ka pasur daljen e tij të parë publike në krah të kryeministrit Edi Rama.
Në një ceremoni të zhvilluar me efektivët e policisë rrugore, Lleshaj iu kthye sërish çështjes së plagosjes së efektives Ina Nuka, ku tha se ajo u përball me një agrisivitet absurd.
Lleshaj nuk i është shmangur as qëndrimit politik, kur u shpreh se situata e dhunës u nxit nga disa përfaqësues të partive politike.
Pjesë nga fjala e Lleshajt:
Jo më larg se dy ditë më parë, forcat e policisë, në përmbushje të detyrës që shoqëria u ka ngarkuar, u përballën me një agresivitet të absurd dhe të pabesë nga një grup i caktuar. Ato duar që u ngritën kundër Ina Nukës dhe kolegëve të saj, na tregojnë se verbëria politike e ka përherë potencialin për të sjellë dëme, jo vetëm mbi policinë, por mbi krejt shoqërinë.
Izolimi i këtyre devijimeve të rrezikshme dhune kërkon jo vetëm reagim të vendosur të policisë, por edhe reflektim të gjerë shoqëror.
Për një reflektim të tillë i ftoj sot të gjithë qytetarët, përfaqësuesit politikë dhe para së gjithash moshatarët e Ina Nukës. Tek policia jonë duhet të shohim forcën tonë, dinjitetin tonë dhe mburojën tonë.
Ne e mbajmë me taksat tona policinë që ajo të përballet vetëm me kriminelët.
Për reflektim serioz ftoj edhe përfaqësues të caktuar politikë, të cilët nuk duhet kurrsesi të rreshtohen përballë policisë, por në krah të saj.
Unë jam i bindur se kjo paketë e konsiderueshme, që Qeveria dhe qytetarët e vendit tonë i japin sot Policisë së tyre, e përcjell më së miri edhe mesazhin e përkrahjes së pa kushtëzuar politike dhe shoqërore për këtë organizatë të pazëvendësueshme, që i shërben të sigurisë tonë për një të ardhme më të mirë dhe europiane.
(E.K/FAXWEB.AL)