Komisioni Europian ka publikuar letrën që Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama lidhur me mbështetjen që Bashkimi Europian i dha Shqipërisë për të kaluar krizën COVID-19.
Më letrën e siguruar nga Eunews.al, Varhelyi shprehet se BE po studion mënyrat e përfshirjes së Shqipërisë në ‘iniciativat që BE po ndërmerr në përgjigje të pandemisë COVID-19, apo sesi të mbështesë më mirë në lehtësimin e ndikimit të tij socio-ekonomik”.
Në letër komisioneri, Varhelyi adreson edhe çështjen e qytetarëve shqiptarë, të cilët për shkak të COVID-19 nuk mund të kthehen në Shqipëri, duke rrezikuar tejkalimin e periudhës së lejuar të qëndrimit.
“Komisioni është në diskutime me vendet anëtare për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë çështje”, shkruan Varhelyi.
Ashtu siç e deklaroi edhe ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, në drejtim të mbështetjes financiare, Varhelyi ka udhëzuar disbursimin e 50 milion eurove, të cilat janë shpërndarë në tre drejtime kryesore:
4 milion € për pajisje të menjëhershme dhe mbështetje shëndetësore
11 milion€ për mbrojtje sociale
35 milion € për rikuperim ekonomik.
Në lidhje me qarkullimin e mallrave thelbësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri për Zgjerimin nënvizon mbështetjen e krijimit të ‘kanalit jeshil” të qarkullimit të mallrave midis BE-së dhe rajonit por bën thirrje “ për bashkëpunim të plotë dhe të veproni si një rajon i vetëm, sepse vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe solidaritetit një sfidë e kësaj madhësie mund të tejkalohet”.
Në mbyllje të letrës Varlehyi rithekson se ‘kjo është një situate e cila evoluon me shpejtësi dhe ne na duhet të përshtatemi në varësi të situatës” dhe se do jemi më të forte në përfundim të krizës nëse bashkëpunojmë.
Discussion about this post