Çdo vit ka dy ditë në veçanti që janë ndryshe nga të tjerat në futboll dhe lidhen me merkaton: pikërisht ditët finale të merkatos, së verës dhe të dimrit.
Dy ditë që rezervojnë goditje në zemrën e tifozëve. Këtë vit ishte hera e David Luiz, që me transferimin nga Chelsea te Arsenal e përfshiu veten te lista e tradhtarëve më të mëdhenj në historinë e futbollit.
Kalimin e tij në anën e kundërt të Londrës, tifozët e “Bluve” nuk e kanë kapërdirë aq lehtë, përkundrazi e menjëhershme ishte hakmarrja e tyre ndaj brazilianit. Të shumtë në numër, tifozët e Chelseas kanë reaguar, por jo vetëm në rrjetet sociale… mbi të gjitha në TripAdvisor.
Referuar raportimeve të medieve britanike, David Luiz, pronar i një restoranti në Londër, të regjistruar në faqen e internetit të ndërtuar posaçërisht për të ofruar informacion mbi hotelet, restorantet dhe fluturimet nëpër botë, po pëson një goditje të rëndë në portofolin e tij.
Pikërisht restoranti i brazilianit është vënë në shënjestër nga tifozët e tërbuar të Chelseas, të cilët kanë pushtuar faqen e TripAdvisor, për të sulmuar biznesin e “tradhtarit”, me komentet më negative të mundshme.
“Ky vend është një fëlliqësirë, plot me gjarpërinj”, shkruante njëri prej shumë vlerësuesve të restorantit të David Luiz, ndërkohë që dikush tjetër, pa u munduar të ekzagjerojë, u tregua më direkt në komentin e tij: “Nuk di në lidhje me menynë tuaj, por pronari juaj është me siguri një mashtrues”.