Aurora Pirraku Eriksson është një zonjë mjaft popullore në qytetin Västerås të Qarkut Västmanland në Suedi. Shqiptarja nga Drenica e Kosovës është një nga gratë më të njohura dhe të suksesshme në këtë regjion. Jo vetëm për shkak të angazhimit të saj të hershëm në politikë në radhët e Partisë Socialdemokrate për Besim dhe Solidaritet (Soialdemokrater för tro oh solidaritet), si dhe organizatën e Gruas së kësaj partie, (S-Kvinna), por edhe për shkak të një karriere të shkëlqyer akademike dhe profesionale, ajo është propozuar përsëri për të qenë kandidate e këtij grupimi politik për zgjedhjet e ardhshme politike si dhe ato për pushtetin lokal për qarkun Västmanland.
Kjo është hera e tretë që Aurora kandidon për një pozitë të tillë të lartë politike, ndërkohë që ajo përfaqëson femrën e parë shqiptare në historinë politike të Suedisë që angazhohet në një garë të tillë. Aurora është modeste dhe nuk pranon të flasë shumë rreth kësaj çeshtje, por ata që e njohin karrierën e saj politike janë të impresionuar nga ecuria e saj gati 20-vjeçare në këtë parti.
Me kontributin dhe angazhimin e saj në vite në këtë grupim politik dhe në radhët e grave socialdemokrate, Aurora ka arritur tashmë majat e përfaqësimit politik. Prej disa vitesh ajo është nënkryetare për Organizatën e gruas socialdemokrate (S-Kvinna) në Västmanland; është Kryetare e Partisë Socialdemokrate (parti që udhëheq qeverinë në Suedi), për Västeras si dhe anëtare e bordit të STS (Soialdemokrater för tro oh solidaritet) për gjithë Suedinë. Ajo është gjithashtu femra e parë shqiptare në kryesinë në departamentin e Mjekësisë, ku prej disa vitesh jep një kontribut me vlerë si specialiste e fushës.
Karriera politike është vetëm një nga fokusimet e Aurorës. 44-vjeçarja, nëna e 4 fëmijëve, është shembull për shqiptarët në Suedi edhe sa i takon ecurisë brilante në edukimin akademik dhe atë profesional. Krahas punës aktive në disa institucione dhe agjensi të rëndësishme shtetërore si Zyra për Punësim dhe Integrim, Polici, etj, zonja Aurora nuk e ka ndërprerë për asnjë moment punën për ngritjen e saj akademike dhe profesionale. Në fillim ka studiuar për Psikologji në Universitetin e Mälardalens, ku më pas ka përfunduar magjistraturën.
Më pas në këtë universitet ka studiuar në fakultetin për Udhëheqje, ku gjithashtu ka marrë titullin Magjistër i Lidershipit. Më pas, Aurora ka përfunduar edhe Fakultetin e Kriminologjisë në titull Master të Universitetit të Stockolm-it, si dhe është certifikuar në degën e Psikoterapisë, shkalla e parë. (Aktualisht është duke vazhduar shkallën e dytë dhe në fund të këtij viti do të marrë certifikatën e drejtimit Psikodinamik).
Prej nëntorit 2016, ajo ka punuar analiste e kualifikuar për regjionin MIT të 46 komunave në Suedi. Tre vjet më parë, ajo mori cmimin si këshilluesja më e mirë për punë në të gjithë Suedinë, ndërsa së fundmi ajo është angazhuar sërish në një sektor të vecante në Zyrën për Punësim në Västerås.
Västerås është tashmë një qytet i dashur për Aurorën, ku ajo ka kaluar më shumë se gjysmën e viteve të jetës së saj. Ky qytet i bukur e lidh atë me shumë kujtime të kohës së ardhjes së emigrantëve të parë shqiptarë në Suedi. Shumë prej shqiptarëve të Kosovës që erdhën këtu nuk arritën të merrnin dot lejen e qëndrimit dhe u kthyen në vendlindje, të frikësuar për jetën në kushtet e terrorit politik dhe atij policor të regjimit të Milloshevicit. Në kujtim të atyre që u kthyen, Aurora ka mundësuar që në Västerås të vendoset skulptura që mban titullin ” Gëzimi dhe Liqeni i ngrirë”, një monument simbol për të gjithë vuajtjet e asaj kohe. Në retrospektivë të asaj kohe, Aurora kujton momentet e vështira që ajo dhe shumë shqiptarë të tjerë kanë kaluar derisa kanë mundur të integrohen plotësisht në jetën dhe shoqërinë suedeze.
Ajo është shumë e lumtur dhe krenare sa herë që dëgjon për sukseset e të rinjve shqiptarë si dhe bashkëmoshatarëve të saj në fusha të ndryshme si në politikë, sektorin publik, mjekësi, shkencë, media, biznes, art, sport, etj. ”Populli shqiptar është mirëpritur në mënyrë shumë të mirë në Suedi, pasi që shume prej tyre janë të shkolluar dhe udhëheqin pozita mjaft të mira të punës. Shteti suedez është një ndër shtetet e para që ka pranuar Republikën e Kosovës. Të rinjtë po tregojnë një sukses shumë të madh në të gjitha fushat e shkollimit.
Shteti suedez, jo vetëm për shqiptarët, por të gjithë popujve ju ofron mundësi shumë të mira për shkollim dhe punësim. Suedi komuna është ajo që i afron kurset plotësuese dhe shkollën shqipe, pra mësohet njëkohësisht edhe gjuha shqipe edhe ajo suedeze, por me më pak orë. Këto kurse ekzistojnë edhe në universitete. Këto kurse ndiqen shumë nga shqiptarët, por për çudi klasa ime e gjuhës shqipe ka pasur më shumë suedezë se sa shqiptarë, gjuha shqipe është gjuha më e vjetër në Evropë dhe më e bukura dhe nuk bën ta harrojmë assesi.
Në Suedi e duan gjuhën shqipe shumë dhe e studiojnë, shkrimin e parë për Skënderbeun e ka bërë një suedez, kemi miqësi të fortë ndërmjet vete ne të dy popujt”, u shpreh ajo për mediat në Kosovë. Edhe pse angazhimi i saj është i plotë në Suedi, Aurora nuk shkëput asnjë moment vëmendjen dhe interesin për Kosovën dhe zhvillimet mbarëshqiptare. Sipas saj, shqiptarët duhet të investojnë në vendlindjen e tyre, të mendojnë dhe kontribuojnë për përparimin e vendit të tyre, pavarësisht asaj çfare thuhet nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë Kosovës.
Aurora ka gjithashtu një familje me angazhim të konsiderueshëm publik. Dy djemtë janë diplomuar në jurispudencë dhe të ardhurit në çështjet e migracionit, ndërsa vajza studion në SHBA për magjistraturë. Djali i vogël, Dielli 9 vjeçar, është shumë i dhënë pas gjuhës, historisë si dhe traditave shqiptare dhe kjo është një nga kënaqësitë më të mëdha për Aurorën./Arben Vata-SHUPLAKA
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1376″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]