21 Gusht 1905
Sa shpesh kam menduar me frikë dhe ankth, për herën e parë që do të më duhej t’i bëja ritin e fundit fetar, një të vrari.
Dhe diçka tjetër është të kesh përpara syve, një burrë të lodhur e të zbehur, të cilin e kërcënon ngadalë vdekja, derisa t’i dalë shpirti dhe më e keqja, një trup gjithë plagë të gjakosura, jeta e të cilit përpëlitet në goditjet e dhunshme të plagëve.
Çfarë do të ndodhë me mua, nëse do më thërrasin për ndonjë të tillë që është duke vdekur? Vështrimi mbi gjakun që rrjedh do më debulonte dhe do ta përmbushja detyrën time me shumë veshtirësi. Kjo gjë më linte në ankth.
Dhe pikerisht sot, ndodhi një rast i tillë dhe gjithçka ishte ndryshe nga ç’kisha menduar. Ndodhi në orën 13.00.
Njerëzit, të cilët kishin ardhur për meshën e së dielës, tashmë kishin ikur. Unë kisha pirë kafenë dhe isha kthyer në dhomën time për të shkruajtur. Aty dëgjova një krismë, por nuk mendova me gjatë.
Pothuajse pas një ore u fut brenda një shërbetor dhe më tha: “Ndrekën e gjuajtën!” Dola nga shtëpia dhe aty pashë të qendronte një djalë i ri, i cili me zor ngopej me frymë.
Ai kishte vrapuar aq shumë për të më treguar: Qe sipër nga ana tjeter e luginës, aty ku kufijt e Kriezezit bashkoheshin me ato të Bulgërit, kishin gjuajtur Ndrekën pas një debati të shkurtër mes tij dhe njërit nga Bulgëri.
Tashmë Ndreka po më kërkonte mua. Unë renda në dhomën time, mora shishen me vajin e bekuar, e futa në xhep, vura kapelën dhe i thashe djaloshit: “Pas meje!” dhe pa u ndalur aspak vrapova mes pyllit dhe shkurreve në luginën e pjerrët.
Duke rrëshqitur dhe duke u rrëzuar nga shkapërcimet e rrezikshme, më në fund arritëm poshtë. Tashmë e lashë djaloshin të më udhëhiqte dhe u nisëm menjëherë pa frymë. Na u deshën tre çerekë ore derisa mbërritem në vendin e ngjarjes.
Në fillim s’arrita ta shikoja të plagosurin, ngaqë rrethohej nga një grup burrash.
Pasi u afrova, rrethi u hap dhe para syve te mi u shfaq një pamje shumë prekëse. Në tokë shtrihej Ndreka i mjerë.
Pjesa e sipërme e trupit te tij ishte e mbështetur tek një vajzë pothuajse 15-vjeçare, e bija, e cila ishte gjunjëzuar pas tij dhe e mbante fort me të dyja duart e saj; bluza e saj e bardhë si dëbora ishte njollosur me gjak, të njollosura ishin dhe duart e saj të vogla, gjak kishte në rrobat e të plagosurit, me gjak ishte spërkatur dhe myshku i tokës.
Dhe pranë babait që po vdiste, qendronte dhe një vajzë tjetër akoma më e vogël, duke e ledhatuar lehtë me dorën e saj të zbehtë. Rrallë kam parë një pamje kaq ekspresive të një perkushtimi kaq te dashur.
Të dyja të pikëlluara nga dhimbja qëndronin të heshtura pranë të atit me një perkushtim absolut. E vogla ishte stërpikur me gjak, i cili rridhte nga plaga e tmerrshme vdekjeprurëse e të atit, të cilin plumbi e kishte shpuar poshtë zemrës.
Pas meshës ai kishte shkuar sipër në livadhe, sepse vajza e vogël i kishte treguar që Ndreka nga Bulgëri, i kishte piketuar një tjetër kufi, si kufi të hershëm. Kishte ndodhur një debat fare i vogël dhe me pas ai nga Bulgëri, një djalosh pothuajse 15-vjeçar, kishte qëlluar Ndrekën dhe hedhur përtokë.
Tashmë ndodhesha pranë të plagosurit. Zëvendësova mbështetësen, e cila ishte bija e tij, në mënyrë që të mund ta largoja. Edhe njerëzit e tjerë u zmbrapsen. Unë u përkula mbi trupin, pothuajse pa jetë, derisa buzët e mia preken lehtë veshin e tij dhe i fola: “Ndrekë, a do e falesh vrasësin tend?” – i bëra lehtë dhe me zë të dridhur pyetjen.
“Oh, me gjithë zemër. Zot bekoje armën e tij. Ka qëlluar në shenjë!” dhe pastaj filloi të rrëfejë mekatet. Më erdhi një guxim i madh në momentin kur ngrita dorën për t’i bërë kryqin dhe për t’i thënë fjalët e sakramentit: “Ego te absolvo!”
Pas kësaj, njerëzit u mblodhen dhe një herë. Vajzat zunë përsëri vendet e tyre, ndërsa unë i dhashë të plagosurit vajimin e fundit. Ndërkohë njerëzit kishin përgatitur një barelë, mbi të lidhën Ndrekën e plagosur rëndë dhe morën rrugën për në shtëpi.
Gjatë gjithë rrugës, eca pranë barelës duke ngushëlluar me fjalë të mjerin. Pas meje vinin dy bijat. Mrekullohesha nga qendrimi i qetë i këtyre krijesave kaq të reja. Ato nuk qanin, nuk vajtonin, edhe pse zemrat e vogla të tyre donin të çirreshin fort nga dhimbja e madhe.
Më e vogla kishte qenë e pranishme në vendin e ngjarjes, ajo po ruante lopët. E kishte lënë babanë e saj mbi tokë, në një gjendje tepër të rëndë dhe kishte rendur në fshat për të treguar për ngjarjen dhe për të kërkuar ndihmë.
Madje edhe djaloshin që kishte ardhur të më tregonte, e kishte dërguar ajo. Pastaj e kishte shoqëruar motra tjetër me e madhe dhe duke nxituar ishin kthyer në vendin e ngjarjes, që të mbërrinin aty para të gjithëve.
Ndreka vdiq një gjysëm ore pasi mbërriti në shtëpi. Pasi u ktheva në famulli, vërejta një njollë të madhe gjaku në veladonin tim. S’e kisha vërejtur më përpara, ngaqë nuk ia kisha vënë mendjen.
Kjo ditë, perveç të tjerave, më solli përvojën e rrallë dhe bindjen e plotë, që nese brenda meje futet serioziteti i jetës, mbase dhe me dukuritë e tij më të tmerrshme, do të mund të kuptoja dhe të përmbushja misionin tim.
(Nga libri “Ditari im shqiptar” i F. Barcates, Shtëpia botuese Mirdita, N.Dedaj)/LN/