Elona Kuburja është vetëm 15 vjeç dhe prej një jave po lufton me vdekjen në një nga shtratet e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Ajo vuan nga një sëmundje e rëndë, e po ashtu e rrallë me të cilën janë të raportuara vetëm 250 raste në botë.
Ndërsa ditën e sotme ajo është nisur drejt Turqisë për kurim të specializuar.
Pas publikimit të rastit nëpër rrjetet sociale dhe mediat online kryesisht, dhe ‘luftës’ për të mbledhur sa më shumë të ardhura në ndihmë të saj, ka reaguar edhe kryeministri, Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se qeveria ka asistuar me përkushtim të plotë dhe ka ndjekur me shumë përparësi procedurën, për kurimin e saj në një spital publik të specializuar në Turqi.
Rama shton se të gjitha shpenzimet për kurimin e saj, do ti mbulojë qeveria shqiptare.
“Duke qenë se jo pak prej jush, interesoheni për Elonën, vajzën 15vjeçare që po lufton me një sëmundje shumë të rrallë e të rrezikshme, ju bëj me dije se e kemi asistuar me përkushtim të plotë dhe kemi ndjekur me shumë përparësi procedurën, për kurimin e saj në një spital publik të specializuar në Turqi.
Sidoqoftë ajo para pak ka mbërritur në një spital privat në Stamboll dhe në çdo rast, të gjitha shpenzimet për kurimin e saj, do t’i mbulojë Qeveria Shqiptare.
Uroj megjithë zemër që vogëlushja të kthehet shëndosh e mirë në Shqipëri”, shkruan Rama.
(F.GJ/FAXWEB.AL)