E diel
Kosovë: “Rreth orës 3 të mëngjesit, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare”, ishte ky njoftimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në orët e para të ditës. Ngjarja ishte mjaft tronditëse, ku sulmi u ndoq me vrasjen e disa nga terroristëve për të cilët u konfirmua se ishin serbë.
Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin”, të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka thënë se vrasja në veri është “e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”. Të gjithë ndërkombëtarët u angazhuan në normalizimin e situatës, duke bërë vërejtje më së shumti ndaj Serbisë.
Zgjedhjet në Kukës: Qytetarët e Kukësit votuan të dielën e kaluar, në zgjedhjet e parakohshme vendore, për kryetarin e ri të bashkisë. Procesi i votimit u mbyll në orën 19:00, pasi votuan rreth 50 për qind e zgjedhësve. Më pak qytetarë ushtruan të drejtën e votës, krahasuar me zgjedhjet e 14 Majit, ku fitoi socialisti Safet Gjici, mandati i të cilit zgjati pak për shkak të skandalit seksual, ku ai u përfshi. Në garë për të marrë drejtimin e bashkisë të Kukësit ishin kandidati i Partisë Socialiste, Albert Halilaj dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata. Edhe në këto zgjedhje, Partia Demokratike zgjodhi që të mos dalë me kandidat.
E hënë
Kosovë: Situata e ditëve pasardhëse për Kosovën do të diskutohej në çdo studio dhe në çdo institucion ndërkombëtar. Shumëkush dënoi ashpër sulmin, ndërsa nuk kaluan pa u kritikuar qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama, i cili u përqendrua te ndërhyrja e KFOR-it. Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka shprehur ngushëllime për familjet e serbëve të vrarë dhe policit të Kosovës gjatë sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve, që u vranë me gjakftohtësi edhe pse u dorëzuan. Pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit?”, tha Lista Serbe pa ofruar dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Zgjedhjet në Kukës: Një ditë pas procesit të votimeve, socialistët nuk mund ta përmbanin harenë e tyre dhe “mini-festuan” rezultatin paraprakisht, duke qenë se përqindja më e madhe e votave të numëruara caktonin Albert Halilajn si kryebashkiak të ri të Bashkisë Kukës. Fitorja e tij, ishte me 5 mijë vota para rivalit të opozitës.
E martë
Vrasja në Rrëshen: Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 10 të mëngjesit në Rrëshen ku mbeti i vrarë në një atentat Martin Bardhi, një emër i njohur për policinë. Bardhi ishte arrestuar i akuzuar se kishte tentuar të vriste nipin e Kastriot Reçit, ky i fundit i vrarë në vitin 2021. Ndërsa në kërkim u shpall djali i tij Enrik Bardhi. Marku kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu. Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 2 persona.
Vrasja në Sukth: Pak para mesnate një tjetër krim i rëndë do të ndodhte në Sukth të Durrësit, ku u vra me breshëri plumbash, Fatjon Dervishi. Fatjon Dervishi është vrarë te shinat e trenit në Katund të Sukthit, ndërsa autorët e atentatit mbeten të panjohur.
Kosovë: Qeveria e Serbisë e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie për, siç kanë thënë, “ngjarjet tragjike” në Kosovë. Për Ramën ky vendim ishte i papranueshëm dhe sipas tij i frynte zjarrit të një konflikti që nuk ka lidhje me shekullin XXI. Aq e papranueshme ishte kjo për të, sa për herë të parë, Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e BE-së.
E mërkurë
Vdekja e 17 vjeçarit prej ‘ashensorit’: Policia e Sarandës arrestoi pronarin e lokalit “Orange”. Në këtë lokal gjatë muajit gusht humbi jetën një kamarier 17-vjeçar si pasojë e shkëputjes së ashensorit të mallrave.
Zjarri në Pishë Poro: Një zjarr i madh filloi në pyllin me pisha në Fier. Flakët në Pishë Poro janë favorizuar nga era duke krijuar kështu disa vatra.
Vrasja në Dukagjin: Zef Guri është ekzekutuar pasditen e së mërkurës në malin e Shoshit në Dukagjin. Ai ka qenë së bashku me të birin, Gjin Gurin 38 vjeç, në momentin ku ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Sipas burimeve, shënjestër e këtij atentati mendohet të ketë qenë Gjin Guri. Policia ka marrë njoftimin rreth orës 18:45 dhe shërbimet e saj, së bashku me grupin hetimor, u nisën menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk e kanë pasur të lehtë mbërritjen. Në kërkim për këtë vrasje, është shpallur i afërmi i tyre Gjovalin Guri.
Zbërthimi i Artan Tafanit: Artan Tafani ka hapur “Kutinë e Pandorës” së krimit në Shqipëri, gjë që ka sjellë goditjen e bandës së Laert Haxhiut. Policia zhvilloi operacionin “Kurrë mos Harro”, ku u lëshuan mbi 15 fletë arresti.
E enjte
Zbardhja e vrasjeve nga Artan Tafani: Mediat shqiptare do të mbuloheshin që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, me 6 zbardhjet që i Penduari i Drejtësisë, Artan Tafani do të mundësonte për prokuroritë e Elbasanit dhe të Tiranës.
Kosovë: Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë lidhur me shpalljen e ditës së zisë për sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës më 24 shtator. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për gazetarët se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.
Vrasja e Klodiana Vefas: Një 35-vjeçare shqiptare është vrarë me armë zjarri në Itali. Ngjarja u regjistrua në Firence ku ajo u qëllua për vdekje në rrugë.
Klodiana Vefa, me origjinë shqiptare dhe nënë e dy fëmijëve, u vra disa dhjetëra metra larg shtëpisë ku banonte, me sa duket në kulmin e një debati mes saj dhe ish bashkëshortit, i cili u shpall në kërkim. “Vrapo, mami ka vdekur”, mësohet të ketë bërtitur vajza e vogël e Klodiana Vefës, 36-vjeçares shqiptare që u vra me tre plumba pistolete në rrugë në Castelfiorentino, kur i tha vëllait të saj që e ëma nuk jetonte më. Në Itali prej 17 vitesh, 36-vjeçarja punonte si kamariere në një restorant të zonës. Mbrëmjen e djeshme, Alfredi mësohet se kishte shkuar në shtëpinë e gruas dhe mes palëve kishte shpërthyer një zënkë. Më pas Klodiana kishte dalë nga shtëpia. Pikërisht në trotuar, pak metra më tutje u vra me 3 plumba pistolete, një prej të cilëve i mori jetën.
E premte
Kërcënimi i familjes së Klea Gjatës: Një prej të arrestuarve në kuadër të operacionit “Kurrë mos harro”, ku u zbërthye banda e Laert Haxhisë, ishte edhe e dashura e tij, Klea Gjata. Kjo e fundit mësohet se është kërcënuar nga familjarët e viktimave. Ka qenë avokati i saj, Detar Hysi që ka thënë se Gjata dhe familja e saj janë kërcënuar pas publikimit të lajmeve gjatë ditës së djeshme.
Milan Radoiçiç tërhiqet nga lista serbe dhe pranon sulmin në Banjskë: Milan Radoiçiç është dorëhequr nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe. Ka qenë vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç që ka bërë me dije vendimin, duke thënë se kjo erdhi për shkak se Radoiçiç nuk dëshiron që të dëmtojë Listën Serbe. “Radoiçiç nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe”, tha Vuçiç. Nga ana tjetër, ai tha se e sheh Listën Serbe si “luftëtarë të lirisë” dhe se të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë e mendojnë të njëjtën gjë. Nga ana tjetër, në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll, presidenti serb e cilësoi situatën në Kosovë si shqetësuese.
Millan Radoiçiç e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite. Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviç për publikun nga Beogradi.
Raporti i ODIHR për 14 Majin: OSBE-ODIHR ka publikuar raportin e saj përfundimtar në lidhje me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 14 majit të këtij viti. Në raport vihen në dukje shkeljet që janë bërë publike edhe në media, para dhe gjatë procesit. Sipas tij, procesi u karakterizua nga parregullsi dhe ndërhyrjet e partive politike. Po ashtu raporti thekson se ka raste të abuzimit me burimet shtetërore, presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesve.
Vdekja e shqiptares në Greqi: Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi ku një grua shqiptare rreth të 50-ave, ka humbur jetën në mënyrë tragjike. Mediat greke raportojnë se gruaja punonte në një dyqan mishi ku kryente punë, kryesisht pastrimi, me makineri që prisnin mishin. Raportimet e para thonë se gruas, në rrethana ende të paqarta i ka kapur makineria flokët dhe si pasojë e ka tërhequr duke e prerë. Mësohet se tragjedia ka ndodhur përballë vajzës së viktimës, e cila ka nisur të bërtasë. Vajza, është marrë nga shërbimi spitalor me urgjencë pasi është traumatizuar. Mësohet se shqiptarja kishte dy vite që kishte emigruar drejt Greqisë, bashkë me dy fëmijët, pasi ishte divorcuar.
Vrau Klodiana Vefa, vetëvritet Alfred Vefa: Është gjetur i vdekur autori i vrasjes së 36-vjeçares shqiptare Klodiana Vefa në Castelfiorentino. Sipas policisë, e cila e kishte kërkuar prej orësh, ai vrau veten duke qëlluar me të njëjtën armë që ndoshta kishte përdorur për të ekzekutuar bashkëshorten me të cilën nuk jetonte prej kohësh.
E shtunë
Beleri: Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg nën akuzën e shitblerjes së votës, i ka bërë kërkesë Gjykatës së Durrësit, që të betohet si kryebashkiak i Himarës. Beleri vijon betejën e tij me drejtësinë, edhe pse kërkesat e tij janë rrëzuar disa herë nga gjykata. Çështja “Beleri”, ka sjell edhe reagime të shumta nga qeveria greke, me këtë të fundit që kërcënoi Shqipërinë në procesin e integrimit.
Stafi i Fredi Beleri ka depozituar në SPAK një kallëzim penal për bashkinë Himarë dhe ish-kreun e bashkisë Jorgo Goro. Nga qelia e burgut, Beleri me anë të përfaqësuesve të tij ligjorë, ka depozituar në SPAK kallëzim për të gjitha shkeljet e konstatuara nga KLSH-ja në periudhën 2019-2021 në bashkinë Himarë lidhur me fondet publike. Përgjegjësi, sipas tij, ka direkt ish-kryetari Jorgo Goro dhe bashkëpunetorët e tij këto vite.
Kosovë: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas telefonatës që Këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ka realizuar me Kryeministrin Albin Kurti. Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovën. Ai ka bërë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm si dhe zbatim të marrëveshjes nga të dy palët.
Arrestimi i Aldi Mustafës: Mustafa u gjet me një armë zjarri pa leje dhe së bashku me të në makinë ishte dhe një shtetas tjetër. Sipas njoftimit të policisë, Mustafa po shkonte të vriste një person dhe forcat e rendit falë inteligjencës policore, bënë të mundur organizimin e punës për lokalizimin e Mustafës dhe arrestimin e tij. Gjithashtu u arrestua dhe shtetasi tjetër që ishte në makinë, Klevis Turdiu. Aldi Mustafa është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare pasi ka qenë edhe më parë i dënuar, si brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu ai njihet edhe si mik i “Rrumit të Shijakut”.
Zjarri në Pishë Poro: Ne ditën e 5-të të betejës me flakët në masivin pyjor të Pishporos situata sa vjen e përkeqësohet. Era e fortë ka aktivizuar të gjitha vatrat e zjarrit ndërkohë që efektivët e forcave të armatosura janë tërhequr në pamundësi operimi. Prefekti i qarkut Lefter Shehaj ka pohuar për mediat se deri të shtunën ishte djegur një sipërfaqe prej 500 ha pyll me pisha ne zonën e mbrojtur ndërkohë që forcat operacionale janë afruar pranë zonës së banuar për të vënë nën kontroll arat e mbjella dhe banesat.
E dielë
Sulmi kamikaz në Ankara: Ministria e Brendshme e Turqisë (MBT) tha të dielën se dy “terroristë” e kryen një sulm me bombë para ndërtesave ministrore në Ankara, duke shtuar se njëri prej tyre u vra nga shpërthimi, ndërsa tjetri u “neutralizua” nga forcat turke. Mediat turke raportuan më herët se një shpërthim u dëgjua afër Parlamentit dhe ndërtesave ministrore.
Never Forget në gjyq: Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën “Arrest në burg” për 10 të pandehurit e kapur gjatë operacionit policor “Never forget”. Ata akuzohen për vepra penale të rënda si pjesë e grupit të Laert Haxhisë. Më herët ka qenë prokurori Kreshnik Ajazi që kërkoi masën e arrestit një ditë më herët. Aktiviteti i këtij grupi kriminal u dekonspirua nga i penduari i drejtësisë Artan Tafani, që zbardhi vrasjet, plagosjet dhe vjedhjet e bandës së Laert Haxhisë. Ky i fundit është kapur nga autoritetet greke në Janinë dhe pritet ekstradimi në Shqipëri.
Kosovë: Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, mohoi raportimet se ka pasur negocim për largimin e terroristëve serbë në bashkëpunim me KFOR-in. Sveçla potencoi se ishin mbi 90 terroristë serbë që morën pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se tashmë janë gjetur disa prova të ndikimit të Rusisë në sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Zjarri në Pishë Poro: Vatrat e zjarrit në masivin pyjor Pishë Poro-Darëzezë, vijojnë të riaktivizohen herë pas here për shkak të erës së forte e cila ka përhapur flakët në të gjitha drejtimet. Ende nuk mund të flasim për vënien në kontroll pasi era vijon të fryjë me shpejtësi dhe në drejtime të ndryshme. Aktualisht nuk kemi rrezik në banesa apo njësi ekonomike. Për arsye të errësirës dhe erës është e pamundur vijimi i operacionit ndaj efektivët zjarrfikës janë tërhequr nga vatrat e zjarrit. Gjatë natës, për të siguruar banesat që ndodhen më pranë vatrave të zjarrit do të stacionohen mjete zjarrfikëse dhe efektivët përkatës.
(Xh.H/FaxWeb.al)
Discussion about this post