Prej tre ditësh në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, është duke u mbajtur seanca për kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila u konfirmua në detyrë nga KPK, megjithëse është përballur me kundërshti të forta nga OMN, dhe Komisioneri Publik.
Gjatë seancës, ku Imeraj përfaqësohet dhe nga një avokat i dhomës së avokatisë së Strasbugut, kanë dalë në ditë fakte të paprecedenta të procesit ndaj saj, që për kryeprokuroren e Tiranës ka qenë i paragjykyuar, qoftë për origjinën e saj, qoftë për fisin e bashkëshortit.
Në disa SMS që ka lexuar përpara KPA, Imeraj ka thënë se komisionerja e shkallës të parë Genta Bungo, kërkonte shkarkimin e prokurores së Tiranës për shkak se ishte “maloke”, duke iu referuar origjinës së saj nga Tropoja.
“Zonja Genta Bungo ka një paragjykim të tmerrshëm për subjektin e rivlerësimit. Ajo u përgjigj duke qeshur: ‘Çfarë të duhet, një maloke më pak? Madje nga Tropoja. Pupupupu! Unë u largova se ajo ishte eprorja ime”, tha Imeraj duke lexuar mesazhin.
Imeraj lexoi të tjera mesazhe e më pas u shpreh: “Ish-komisionerja paska patur një ngarkesë më të madhe patologjike për shkak të prejardhjes sime prej Veriu?!”
Imeraj lexoi një tjetër mesazh të një punonjëseje të institucionit të KPK-së që i shkruante ish-kryetares:
“As nuk kishit bërë presion në SHISH për Imerajn, as në DSIK”. Sipas saj kërkoheshin informacione që diskreditonin prokuroren, qoftë edhe në Shërbimin Informativ të Shtetit.
“Unë s’mund ta kuptoj si mund të bëhet presion në SHISH”- u shpreh Imeraj në seancë para trupës gjykuese.
Një nga temat më të përmendura në seancë ishte lidhja dhe zgjidhja e martesës së zonjës Imeraj me ish-bashkëshortin e saj, gjë të cilën ajo e konsideron se bie në kundërshtim me çdo parim që i garanton ruajtjen e privatësisë.
“Një gjetje për zgjidhjen e martesës, në kundërshtim me parimin e ruajtjes së privatësisë. Është bërë objekt jo vetëm shqyrtimi, por edhe diskutimi, parashtrimi, mediatizimi në mënyrë të panevojshme.”- tha Imeraj.
Prokurorja e Tiranës, ka zbuluar se një prej denoncimeve anonime që janë bërë në drejtim të saj, lidhet me mbiemrin e bashkëshortit, duke e etiketuar atë ‘nuse’ të grupit kriminal, vetëm e vetëm se babai i fëmijëve të saj kishte mbiemrin Bajri.
“Rrahim Shehu për shkak të mbiemrit e lidh ish-bashkëshortin tim me një grup kriminal dhe arrihet deri aty sa më konsiderojnë si nuse të këtij fisi, Bajri. Ky perceptim është krijuar dhe hedhur gjatë procesit tim të rivlerësimit, gjë e cila nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë lidhje as fisnore, as familjare e as krushqie me këtë grupim kriminal”, u shpreh Imeraj.
Seanca ndaj Imerajt vijon sot sërish në KPA, ku ajo do të bëjë mbrojtjen e saj.