Evropa po e ndjek me shqetësim Uashingtonin, ndërsa SHBA paralajmëron për një “javë kritike” për Ukrainën. Dokumentet e bëra publike zbulojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk bien dakord se si ta përfundojnë luftën.
Njoftimi i njëanshëm i Presidentit rusVladimir Putin për një pauzë treditore në luftën kundër Ukrainës, që përkon me 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk u prit me duartrokitje në Bruksel.
Kritikët thonë se Kremlini duke përmendur “arsye humanitare”për premtimin e tij të fundit për armëpushim, thjesht përpiqet të fitojë simpatinë e Uashingtonit, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu zhgënjim për sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës.
Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio e quajti këtë javë “kritike”, Shtetet e Bashkuara thonë se tani po shqyrtojnë nëse do t’i braktisin plotësisht përpjekjet e ndërmjetësimit për paqe, të cilat, rreth 100 ditë pas ardhjes në post të Trumpit, mbeten të pafrytshme.
Trumpi dhe Zelenski u takuan në Romë, ku të dy udhëheqësit u ftuan të merrnin pjesë në funeralin e Papa Françeskut.
Historia e dy planeve të paqes
Ndërsa udhëheqësit botërorë përgatiteshin të udhëtonin për në Romë për funeralin e Papa Françeskut, agjencia e lajmeve Reuters publikoi dy informacione: një plan armëpushimi që thuhet se është propozuar nga Shtetet e Bashkuara pas bisedimeve me Moskën dhe Kievin, dhe një kundërplan të hartuar nga zyrtarë evropianë dhe ukrainas.
Tekstet rivale tregojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk pajtohen lidhur me kushtet për përfundimin e konfliktit.