Teksa më pak se një muaj na ndan nga viti i ardhshëm, prestigjozja “Politico” ka përgatitur një listë me 28 personalitete që pritet të shtrijnë gjerësisht ndikimin e tyre në kontinentin europian gjatë vitit 2017.
E veçanta qëndron jo vetëm se figura të tilla si Angela Merkel, Vladimir Putin, nuk janë pjesë e listës, por ndër të përfshirët renditet një shqiptar, i 28-ti në listë, mes 17 burrave e 11 grave nga 28 vende të ndryshme.
Bëhet fjalë kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të cilin “Politico” ndër të tjera citon një shprehje të tij: “Ne dëshirojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, për të treguar se ka një mënyrë për ta bërë atë.”
Fillimisht, prestigjozja amerikane shkruan se shteti i Kosovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt njohjes ndërkombëtare, iu bashkua FIFA-s dhe fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpiko në Rio. Në jetën politike të trazuar të saj, Shpend Ahmeti punon për ndërtimin e kombit.
“Prej zgjedhjes së tij në 2013, 38-vjeçari i diplomuar në Harvard, ish-ekonomist në Bankën Botërore dhe professor në universitet, është në një betejë ku synon sigurimin e shërbimeve bazë për 350.000 banorët e kryeqytetit.
Ahmeti vlerësoi se Prishtinës i nevojiteshin 250 autobusë për të siguruar banorëve të tij një transport publik të besueshëm por kur ai u përpoq për të porositur më shumë autobusë në 2015-ën, qeveria refuzoi të nënshkruajë dokumentet e importimit.
Një betejë e vështirë është kjo për Shpend Ahmetin, që ka dërguar një duzinë ish-zyrtarësh komunalë në gjykatë, të dyshuar për korrupsion.”, shkruan ndër të tjera “Politico”, raporton “Shuplaka.com”.
“Politico” ka vendosur të përzgjedhë 28 personalitete, jo pa qëllim. NATO ka 28 anëtarë, sikundër BE, e cila pavarësisht Brexit ka Malin e Zi që pritet t’i bashkohet. Në listën me 28 personalitete, renditen kryetari i Bashkisë Londër, Sadiq Khan, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përfaqësuesja për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, populistja gjermane Frauke Petry, etj. Të 28-të personalitetet pritet të formësojnë dhe nxisin zhvillime të reja në kontinentin e vjetër europian.