Një shqiptar ka humbur jetën gjatë Luftës në Siri. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët e policisë së Kosovës, të cilët thanë se kanë marrë njoftime për vrasjen në Siri të një shqiptari nga Kosova me banim në Mitrovicë, rreth 40 kilometra në veri të Prishtinës.
“për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet Siria, për policinë është e vështirë të ketë informacione zyrtare për vrasjen e tij”, tregon Baki Krelani, zëdhënësi i Policisë.
Megjithatë RTK raporton se viktima quhet Dush Smajli me banim në komunën e Mitrovicës dhe se i njëjti kishte shkuar së paku dy herë në luftën e Sirisë. Sipas familjarëve, lajmin për vdekjen e njeriu të tyre të dashur, e kanë marrë vesh pak ditë më parë.
Pjesëmarrja në luftërat e huaja në Kosovë është e ndaluar me ligj, mirëpo të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen rreth 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. (D.D/Shuplaka)