Kryedemokrati Sali Berisha ka zbuluar sloganin e Partisë Demokratike në fushatën zgjedhore. Berisha deklaroi se renditja e PD-së e para në fletën e votimit është një fat hyjnor dhe tokësor.
Kryedemokrati theksoi se ata që votojnë për Partinë Demokratike janë 1-sha.
Teksa komentoi sloganin, Berisha u shpreh se flamuri kuq e zi ka një bukuri mahnitëse, ndërsa sipas tij logoja është “logoja e betejës me të cilën demokratët shkojnë drejt fitores së 11 Majit”.
“Nuk ka dhuratë më të madhe se sa kjo. Në të gjitha librat, përshkruhet si më i miri, si i pari. Kur fati që është sa hyjnor dhe tokësor, i ra PD-së të ketë këtë numër, entuziazmi i demokratëve dhe mbështetësve të PD-së, por në tërësi i shqiptarëve ishte dhe është jashtëzakonisht i madh.
Pra ata që votojnë për Partinë Demokratike dhe Aleancën Shqipëria Madhështore votojnë 1-shin. De facto janë 1-sha. Nuk mohohet, të jesh 1-sh, tu përkasësh 1-shave është një nder, një privilegj, është një detyrë të qëndrosh në lartësi.
Po kjo do të jetë e gjithë, por nuk po ndalem tek flamuri që ka bukurinë e tij mahnitëse. Logoja, pra çdo gjë, siç e shihni është logoja e betejës, logoja me të cilën demokratët shkojnë drejt fitores së 11 majit”, tha Berisha.