Komisioni Evropian i ka dhënë dritën jeshile Bullgarisë për t’u anëtarësuar në eurozonë më 1 janar 2026, duke shënuar hapin e dytë të rëndësishëm të shtetit brenda një viti në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
KE-ja, e cila u mblodh më 4 qershor për të marrë një vendim lidhur me këtë çështje, tha se Bullgaria i përmbush katër kriteret nominale të konvergjencës që përdoren për të vlerësuar nëse një vend është i gatshëm të adoptojë euron.
Banka Qendrore Evropiane pritet po ashtu që të publikojë mendimin e saj më 4 qershor, dhe zyrtarët bullgarë kanë thënë se presin një vlerësim pozitiv edhe nga ky institucion.
Një vendim në favor të adoptimit të euros është hapi i dytë i madh i Bullgarisë brenda një viti në rrugën e shtetit drejt integrimit në BE.
Në janar, Sofja u bë anëtare me të drejta të plota e zonës Shengen dhe kufijtë e Bullgarisë me Greqinë dhe Rumaninë tani janë plotësisht të hapur.