Partia e presidentit Aleksandër Vuçiq është drejt rrugës për një tjetër fitore zgjedhore. Ecja e vendit drejt anëtarësimit në BE do të jetë më e vështirë, shkruajnë Andrea Dudik dhe Misha Savic për Bloomberg.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri shaka në fillim të këtij viti për mënyrën se si e shihte përqasjen e vendit që ai ka udhëhequr për gati një dekadë: “Njerëzit po ngopen me mua”.
Vuçiq, i cili ka qenë ish-ministri i informacionit për njeriun e fortë jugosllav Slobodan Millosheviç, po e çon partinë e tij në zgjedhjet parlamentare këtë fundjavë duke u thënë votuesve se do të jetë akti i tij i fundit. Synimi i Vuçiqit ndaj serbëve është që të ketë shansin e fundit, pasi ka ndikuar në mbarimin e luftës së fundit ballkanike dhe vendi është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sondazhet sugjerojnë se 53-vjeçari, aletat i dikuershëm i Vladimir Putinit të Rusisë, po shkon sërish drejt një fitoreje të rehatshme. Vuçiq mbetet politikani më popullor i Serbisë dhe Partia e tij Progresive është shumë përpara në sondazhe. Por, nuk është e lehtë të vlerësosh se si ai do të arrijë trashëgiminë që dëshiron të lërë si njeriu që rindërtoi Serbinë.
Akti tradicional i balancimit lindje-perëndim të Serbisë u përmbys nga pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar. Nga ana tjetër, vendi nuk është më afër normalizimit të lidhjeve me Kosovën, që është një parakusht i anëtarësimit në BE për të dy kombet. Kritikët thonë gjithashtu se një shenjë dalluese e pushtetit të Vuçiqit ka qenë mbytja e opozitës, liria e medias dhe akuzat për favoret ndaj miqve.
Vuçiq dhe partia e tij po u përmendin serbëve se vendi nuk ka qenë ndonjëherë aq mirë ekonomikisht, të paktën që nga rënia e Jugosllavisë. Kjo lidhet pjesërisht me marrëveshjet e biznesit që ai ka bërë me Kinën, Lindjen e Mesme dhe Rusinë, së bashku me vendet e BE-së që kolektivisht kanë qenë burimi më i madh i investimeve dhe subvencioneve.
Dy eksportuesit më të mëdhenj të Serbisë tani janë kinezë, ndërsa një kontraktor kinez po ndërton një pjesë të lidhjes hekurudhore midis Beogradit dhe Budapestit, një nga projektet më ambicioze të rajonit.
Presidenti, i cili u rizgjodh si kreu i shtetit vitin e kaluar, mburret se ai ka sjellë vite të tëra stabiliteti për ekonominë dhe monedhën dhe ka përmirësuar imazhin e një shteti që po vuante nga sanksionet ndërkombëtare në vitet 1990.
Që kur Vuçiç erdhi në pushtet në vitin 2014, fillimisht si kryeministër, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Serbisë është më shumë se dyfishuar, i nxitur nga projektet e mëdha të infrastrukturës. Serbia tërheq dy të tretat e të gjitha investimeve të huaja direkte midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësimin në BE.
Shkalla e papunësisë është përgjysmuar në 9% nga 25%. Njerëzit e kanë ndjerë këtë në xhepat e tyre. Vuçiq gjithashtu ka përdorur fondet shtetërore për të pasuruar votuesit. Paga mesatare mujore neto është pothuajse dyfishuar në rreth 800 dollarë. Vuçiq premton se do ta çojë atë në 1500 dollarë deri në vitin 2027, vit kur i mbaron mandati aktual presidencial.
Rritja e ekonomisë është veçanërisht e dukshme në dhe rreth kryeqytetit, Beograd. Vinçat mbulojnë horizontin e qytetit.
Milan Staniç, një fermer 56-vjeçar, përdori subvencionet e qeverisë për të trefishuar sipërfaqen e plantacionit të tij me mollë në veri të kryeqytetit. “Unë jam brezi i tretë i fermerëve në familjen time dhe nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mbështetje nga shteti,” tha ai pas nënshkrimit të një kontrate për të eksportuar fruta në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Kundërshtarët e Vuçiqit, megjithatë, thonë se ai e drejton vendin më shumë si feudali i tij sesa një anëtar i mundshëm i BE-së. Ata thonë se punimet e infrastrukturës u financuan nga huamarrja e tepërt, ndërsa projekte të tilla si kompleksi i oasurive të paluajtshme “Belgrade Waterfront” kanë shkaktuar polemika. Vuçiç kundërshton, duke thënë se borxhi mbetet nën 60% të PBB-së, madje edhe armiqtë e tij politikë kanë blerë apartamente në kompleksin buzë lumit.
Dhjetëra mijëra protestues e akuzuan Vuçiqin për kultivimin e “kulturës së dhunës” pas dy vrasjeve masive në maj, kur persona të vetmuar të armatosur vranë 19 persona në dy ngjarje të veçanta. Blloku liberal pro-perëndimor ka mbajtur protesta javore kundër autoriteteve që atëherë, të cilat presidenti i denoncoi si përpjekje për të shfrytëzuar vdekjet tragjike. Që atëherë reagimet janë pakësuar.
Megjithatë, partia e Vuçiqit është shumë përpara. Ajo ka rreth 44% dhe aleatët e tij socialistë, të cilët garojnë veçmas, pritet të fitojnë rreth 10% të votave, duke u dhënë atyre lehtësisht një shumicë të fortë./MONITOR