Ajo është një ndër këngëtaret më popullore, ndërsa ai ndër beqarët më të kërkuar të vendit tonë. Mesa duket, një tjetër histori dashurie ka lindur në radhët e VIP-ave, që deri më sot është ruajtur me fanatizëm dhe larg syrit të publikut. Po flasim për këngëtaren kosovare, Adelina Berisha dhe djalin e deputetit të Durrësit, Lefter Koka, Arbri. “Bluetooth” ka mundur të mësojë se dyshja është në një lidhje dashurie prej pak kohësh. Arbri dhe Adelina janë takuar në vendin tonë nga shoqëria e përbashkët, e duket se nga ajo ditë, ata po kalojnë përherë e më shumë kohë në shoqërinë e njëri-tjetrit, tashmë si dy të dashuruar.
Mes angazhimeve të shumta që Adelina ka në sezonin e verës, ajo gjen kohë të udhëtojë drejt Durrësit për të takuar të dashurin e saj të ri. Me aq sa kemi mundur të marrim vesh edhe nga miqtë e çiftit, nuk kanë qenë të pakta edhe rastet kur Arbri ka udhëtuar drejt Prishtinës për të qenë më pranë partneres së tij. “Bluetooth” ka mundur të mësojë edhe për ‘arratisjen’ e ëmbël të çiftit këtë verë në jug të vendit tonë. Arbri dhe Adelina janë shfaqur më të dashuruar se kurrë në bregdetin e Jalës. Çifti ka zgjedhur të pushojë për pak ditë në një nga resortet e bregdetit, duke bërë kështu një nga daljet e tyre të para së bashku. Edhe pse shpesh janë përpjekur t’i shpëtojnë syrit të publikut, në rrethin e tyre të miqësisë, kjo lidhje është mjaft popullore.
Arbri Koka është djaloshi simpatik i deputetit të Durrësit, Lefter Koka. Djaloshi është i njohur për angazhimin e tij në politikë, duke qenë pjesë e strukturave të LSI. Por nga ana tjetër, të gjithë e njohin Arbrin si djaloshin simpatik, të preferuarin e femrave. Adelina Berisha është këngëtarja që prej vitesh ka mbetur e preferuara e publikut. Biondja seksi konfirmon në çdo dalje të saj që mbetet një ndër femrat më sharmante. Por ajo që është edhe më e veçantë për Adelinën është se kurrë më parë, ajo nuk është përfolur për një histori dashurie. Në intervistat e dhëna më herët, këngëtarja shpesh shprehej se nuk kishte qenë kurrë në një lidhje apo e dashuruar. Mesa duket tek Arbri, Adelina paska gjetur dashurinë e vërtetë. Mbetet për t’u parë sesi do të shkojë historia për këtë çift që tashmë janë në fillimet e marrëdhënies. E derisa të dy ta pranojnë vetë këtë lidhje, mediat rozë do të jenë më të vëmendshme për të zbuluar detaje nga kjo histori dashurie. /Bluetooth/
Discussion about this post