Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka folur për kritikat që bëri ish-nënkryetarja e kësaj partie Jozefina Topalli, ku tha se Kryesia e re është delegjitime dhe pa identitet. Në studion e emisionit “Byro politike”, Vokshi tha se kritikat nuk qëndrojnë, pavarësisht respektit që ajo ka për Topallin.
“E respektoj zonjën Topalli dhe kontributin që ajo ka dhënë për Partinë Demokratike. E respektoj edhe qëndrimin që ajo ka për kryesinë, por ka disa gjëra që unë i lexoj ndryshe.
Ajo thotë që personi më i votuar Kryesi ka më pak vota se gjysma e Këshillit Kombëtar, por nuk është tamam ashtu sepse ai ka më shumë se gjysma e personave që kanë votuar. Duhet pasur parasysh që edhe vota ka qenë e shpërndarë.
Sa u përket figurave që janë sot në Kryesi, ajo është një ndërthurje e të vjetrës me të rinjtë. Aty ka personalitete të shquara, ka ish-drejtues institucionesh të rëndësishme, aty ka ish-ministra, ka jurisë dhe ekonomistë, ka përfaqësues të ish-të përndjekurve dhe ish-pronarë. Të gjitha shtyllat e PD-së janë të përfaqësuara” –tha Vokshi.
Një ditë më parë, ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli bëri kritika të forta për mënyrën si u zgjodh kryesia e re e PD-së
(E.K/FAXWEB.AL)