Ish-Presidenti Bamir Topi ka promovuar ditën e djeshme, librin e tij autobiografik “Nocturn – Kur arsyeja errësohet nga pushteti”. (lexo këtu) Përveçse dëshmi e jetës së tij, libri i Bamir Topit shërben edhe si një dëshmi e një periudhe të trazuar politike të Shqipërisë.
Në një pjesë të librit, ish-presidenti ka përshkruar ngjarjet që pasuan 21 janarin duke u shprehur se Lulzim Basha i shkoi në shtëpi për t’i kërkuar ndërhyrjen te Kryeprokurorja dhe pas refuzimit, ish-kryeministri Sali Berisha nisi sulmet frontale kundër Presidentit.
Pjesë nga libri i Bamir Topit:
Të nesërmen, më datë 23 janar, ditë e diel, herët në mëngjes mora një telefonatë nga Lulzim Basha, ministër i Brendshëm dhe pas përshëndetjes së rastit kërkoi të më takojë. Rreth orës nëntë të atij mëngjesi e prita Lulin në zyrë të improvizuar në banesën time. Ishte i shqetësuar, nuk e fshinte dot gjendjen e tij dhe ndërrimin e kursit të ngjarjeve.
–Mirëmëngjesi, mirë se erdhe! –hapa bisedën.
–Mirëmëngjesi! Ndoshta herët se është dhe e diel! –më tha.
–Jo, i thash. Jam pothuajse pa gjumë gjithë natën duke ndjekur ç’po ndodh. Meqenëse jemi këtu, ç’po ndodh në këndvështrimin tënd në marrëdhëniet me prokurorinë? – vazhdova bisedën. Pas një hezitimi të shkurtër më thotë: “Në fakt për këtë çështje erdha të bisedoj! Ne jemi të shqetësuar për urdhërndalimet e zinxhirit komandues të Gardës”! Ai jo vetëm kishte ardhur me urdhrin e Saliut, por po përsëriste besnikërisht të njëjtat fjalë që shefi i tij i kishte thënë publikisht një ditë më parë. -Erdha të them edhe në emër të kryeministrit të ndërhyni të Prokurorja e Përgjithshme për t’u tërhequr nga kjo iniciativë! – tha Luli duke mbyllur kërkesën e tij.
***
Kjo ishte sipas meje çasti që do të kuptohej nëse presidenti merrte pozicion në favor të qeverisë apo të kryetarit të shtetit, ku shërbimi i tij duhet të jetë kushtetues dhe jo arbitrar. Tashmë gjithçka ishte e qartë dhe vendosmëria për të mbështetur prokurorinë ishte e palëkundur. -Dëgjo, Luli! Besoj se biem dakord që ka ndodhur një ngjarje e përmasave tragjike, me implikime të rënda të politikës dhe shtetit. Unë jam kryetar shteti dhe interesi është që me qetësi të vendosemi të zbulojmë shkaktarët, duke filluar me politikanët, demostruesit, policët, gardistët e kushdo qoftë pas tyre. Unë nuk mund të marr përgjegjësi historike për të devijuar të vërtetën. I kam dhënë besimin kryeprokurores në një takim të zhvilluar dje, nga ku rezulton se qeveria dhe garda apo policia nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave dhe hetimin. Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim me njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme. –Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikoj se do të shkojë jo mire.
***
Të dielën në mbrëmje ai (Berisha) mblodhi Parlamentin, ku deputetët besnikë të Sali Berishës bërtisnin për grusht shteti. Dita iku shpejt dhe lufta mediatike ishte vendosur në gojë të gazetarëve apo analistëve, të cilët ishin pozicionuar në llogoret e palëve. Ndërkohë unë isha në kontakt me miqtë në ndërkombëtarë te të cilët ndihej shqetësimi në rritje. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që kryeministri, veç opozitës, ishte futur në konflikt me shtetin dhe përfaqësuesit e tij. Në mbledhjen e qeverisë, djallëzia e Berishës kishte arritur kulmin. Ai foli këtu për sever të paprishur të Kryeministrisë, që ta ketë si alibi se kishte dijeni për këtë gjë, duke ia hedhur fajin Gjergj Lezhjes, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Në fakt severi ishte fshirë natën e 21 janarit, ku Berisha ishte fshehësi si së vërtetës së hidhur që do të tregonte se çfarë ndodhi brenda zyrave të tij, çfarë urdhrash u dhanë dhe kush ishte atë ditë atje
***
Nuk kishin kaluar disa minuta kur më telefonojnë me radhë Sali Shehu, Sami Gjergji, Aleksandër Biberaj, duke kërkuar takim për t’u konsultuar për situatën së bashku me Bensik Mustafajin. Pa kaluar 30 minuta nga fjalimi kërcënues i Sali Berishës në, banesa ima ishte blinduar me oficerë të Gardës, njerëz të SHIU dhe besnikë të Sali Berishës. Kryetari i shtetit ndihej i rrethuar dhe gati-gati si në arrest shtëpie. Thërrita shoferin tim, Kujtimin, një mikun tim dhe të familjes, njeri besnik, duke i thënë se si ishte situata rreth e qark shtëpisë. Shkova, u vesha sportiv dhe u futa në makinë i ulur mbrapa. Makina po dilte nga rruga e shtëpisë sime duke shkaktuar lëvizje e dyshime tek rojet e shumtë që raportonin direkt tek eprorët e tyre, të cilët duhet të ishin ndalur për përfshirje në ngjarjet e dy ditëve më parë. Përfytyrohet që siguria e jetës sime ishte tashmë në duart e miqve të kryeministrit… Makina kaloi postbllokun kryesor dhe u fut në rrugicat plotësisht në errësirë dhe pas dy manovrimeve në zonën e Kinostudios u kthye për të marrë rrugën e Dajtit, duke u siguruar se askush nuk kishte mundur të na ndiqte….Kujt mund t’i shkonte në imagjinatë që kreu i shtetit po udhëtonte në ato kushte në errësirë e në një natë të ftohtë dimri, me erë dhe pa hënë./Opinion.al