Deputetja e PDIU-së Mesila Doda ka reaguar pas deklaratave të partisë LSDM të Zoran Zaev, të cilët i quajtën provokim thirrjet e saj për Iliridën dhe ‘mohimin’ e Maqedonisë. Mediat maqedonase shkruanin se Shkupi do ta shpallë ‘non grata’ deputeten shqiptare.
Doda shkruan se nuk është e shqetësuar dhe se FYROM është ‘non grata’ për të. Ajo deklaron se do të pranojë të shkojë vetëm në Iliridë.
“Po lexoj në media se Shkupi ka kërkuar shpalljen time non-grata… Asnjë shqetësim… për mua është po aq i papranueshëm një shtet që nuk ka asnjë bazë ekzistence dhe të vetmen pike të përbashkët të lloj-lloj etnie gjen vetëm në bashkëveprimin për dhunimin e të drejtave të bashkëkombësave tanë.
Kjo do të thotë që unë do pranoj të shkoj vetëm në Iliridë. Fyrom është gjithaq non-grata për mua dhe ka pushuar se ekzistuari si laborator albanofobie. Mbetem përkrah shqiptarëve të Iliridës”, shkruan deputetja e PDIU-së.
Doda kërkoi pak ditë më parë nga Dibra pavarësinë e “Iliridës”, nëse, LSDM-ja nuk pranonte propozimet e partive shqiptare.
Por duket se kjo gjë nuk i ka pëlqyer ZoranZaevit, i cili nuk e ka marrë ende mandatin për krijimin e qeverisë për shkak të platformës shqiptare.
Në njoftimin e lëshuar nga LSDM thuhet se deklarata e deputetes çon në ndarje dhe përçarje, ndërsa shtojnë se ndjehen të provokuar.
“E dënojmë retorikën provokative në deklaratat e deputetes në Parlamentin e Shqipërisë, Mesila Doda, që ka të bëjë me Republikën e Maqedonisë, e cila nuk është në shpirtin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në respektimin e ndërsjelltë mes dy vendeve. Qasje të këtilla shkojnë në dobi, vetëm të atyre që krijojnë ndarje dhe punojnë për rritjen e mosmarrëveshjeve dhe jotolerancës, përkundër vlerave evropiane për të cilat jemi përcaktuar”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
DEKLARATA E DODËS
“Dy fjalë për një krahinë që më rrinë fort në zemër, është vendi përkarshi, Ilirida.
Krahinë e moçme shqiptare që edhe emrin sot ja kemi harruar dhe dikush i thotë Maqedoni e dikush Fyrom. Ne e ripërsërisim ILIRIDA. Po ja them këtu nga krahu shqiptar i kufirit, por mos dyshoni që do e them shumë shpejt edhe ne krahun përballë. Nuk do ketë Ivanov, Gruevsk apo ndonjë antishqiptar tjetër që ta ndryjnë jetën e shqiptarëve tanë në ato treva dhe ta kthejnë në Palestinën e Europës. Shqiptarët e Iliridës duhet të kërkojnë të drejta të plota. Nëse Zaev tërhiqet a nëse presidenti që firmosi fundin e shtetit të vet nuk jep dorëheqjen, urgjentisht të mblidhet tryeza e forcave politike mbarëshqiptare e të ndihmojnë që Ilirida të mbajë referendumin për mëvetësinë. Ky shtet pa asnjë kuptim nuk e gjen dor arsyen e vet të ekzistencës në dhunimin dhe mosrespektin e shqiptarëve të Tetovës, Shkupit, Gostivarit, Ohrit e Strugës. Ajo është zemra e Iliridës dhe ne bashkë jemi një komb, Një qëndrim dhe kemi vetëm Një Atdhe…Shqipërinë nga Preveza në Mollë të Kuqe, Shqipërinë e 4 vilajeteve, Shqipërinë e 8 milionë shqiptarëve”, – tha Mesila Doda. (M.D/ Shuplaka)
Discussion about this post