Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat kundër kompanisë SHELL që po zhvillohen paraditen e sotme në zonën e Zagorisë.
Rama tha se nuk ka asnjë shans që aty të ketë shpime naftëkërkuese, pasi zona është shpallur Park Kombëtar.
Sakaq në fshatin Nivan të kësaj krahine kanë qenë sot përfaqësues të kompanisë SHELL që po zhvillojnë një dëgjesë publike me banorët, ndërsa këta të fundit kanë kundërshtuar ashpër kërkimet për naftë.
Reagimi i Ramës:
Debati për kërkimet e naftës në Parkun Kombëtar të Zagorisë është i mirëseardhur për të kujtuar se: Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga hece, gurore, etj. Si mund të lejojmë aty shpime naftëkërkuese! Nuk bën vaki.
Për kërkimet që pritet të nisin në Zagori ka pasur sot një reagim të ashpër dhe arkeologu Neritan Ceka.
“Forumi ka kohë që flet, pasi në këtë qeverisje keni heshtur. Ne po humbim monumente. Kudo ka agresion dhe një mungese kompetence totale e pjesës së pushtetit për të mbajtur monumentet. Tani më thoni se kush merret me monumentet e kulturës. Forumi a mund të ketë një zë për komplekset e tilla? Në rastin që po flasim është në rrezik jo vetëm Zagoria, por e gjithë zona e Gjirokastrës.
Kishat më të bukura dhe afresket më të mrekullueshme, i ke në këtë zonë. Kemi prishur më shumë kisha se sa në komunizëm. Po humbim monumentet e kulturës. Ata banorë kanë të drejtë, por nuk duhet të flasin barinjtë për monumentet. Ky forum duhet të zgjerohet për alarmin që kemi. Le të mblidhet çdo muaj. Lëmë një datë dhe një orë për të shqyrtuar këto probleme. Për Zagorinë duhej të ishte kërkuar një raport arkeologjik”, tha Ceka.
(E.K/FAXWEB.AL)