NNga Jeta Toçila:
E dashur vajzë! Ti je shumë e bukur, ashtu siç je, me të vërtetat e tua. Ti ngrihesh në mëngjes nga krevati me flokët e pakrehur dhe sytë e përgjumur dhe nuk ke nevojë të bësh selfie me “beautify program” për ti thënë botës se as gjumi nuk lë shenjë në faqet e tua. Ti ecën rrugës me kokën ulur me ndrotjen e gruas së sapomartuar, por ti nuk ke nevojë të hiqesh si e padalë për tu dukur më e pafajshme në sytë e njerëzve. Ose ti ecën duke u tundur e shkundur e duke hedhur vështrime kuturu, për tu dukur e shpenguar, kur në fakt të kanë dhembur thashethemet e komshijes kur ti përplase natën vonë portën e pallatit. Ti buzëqesh me shakatë e pahijshme për të mos u etiketuar si demode, sepse nëse zgjedh të kundërshtosh banalitetin ti dënohesh me izolim shoqëror. Ti vendos paskëtaj të ndryshosh e ti përshtatesh kërkesave të tregut. Dhe çfarë bën??!! Ti zbukurohesh e dekorohesh si pema e krishtlindjeve një ditë dhe vëren se merr më shumë pëlqime kur shfaqesh si e tillë. Ti fillon të ndryshosh mënyrën e komunikimit, duke zgjeruar repertorin gjuhësor me fjalët e rrugës. Ti heq dorë nga librat dhe shton gotat e konjakut në mbrëmje. Ti heq dorë nga rinia dhe kthehesh në një shoqëruese tavolinash pokeri në një fundjavë të zymtë burrash të dëshpëruar. Ti ndryshon garderobën e ndihmuar nga burrat e dhjamur jo vetëm me para, dhe papritmas vëren se të fërshëllejnë rrugës këmbët lakuriqe. Ti sakrifikon lirinë tënde për një biletë avioni në Dubai dhe kthehesh me shpirtin e plakur, por me silikonë të rinj. Ti u thua “Po” ofertave të orëve të vona me shpresën se pranimi është mjeti më efikas i joshjes së një burri. Ti pranon të jesh e dyta, e treta apo e katërta e një burri të martuar, vetëm që çanta “Gucci” të bëhet e jotja. Ti bëhesh drejtoreshë apo ministre, por përsëri ndihesh e zhveshur jo vetëm nga pushteti. E dashur vajzë? Këtë kërkon nga jeta?? Nuk besoj se të pëlqen të të thërrasin bibë. Unë e di që ti vlen, nëse rrëmon mendimet e tua. Unë e di që ti ëndërron princin e kaltër të fëmijërisë tënde, i cili ende nuk ka arritur në principatën tënde. Unë e di që të pëlqen të shkosh në kinema ose të hash rrugës akullore me një djalë. Unë e di që nuk dukesh e bukur vetëm në festa, por edhe kur i je përveshur punëve të shtëpisë. Unë e di që ti je e bukur edhe kur grindesh, edhe kur kundërshton, edhe kur thua mendimin tënd, edhe kur vendos syze për të lexuar në sytë e zhveshur nga qerpikët fals. Prandaj, mëso dhe ti diçka për veten!