Partia Socialiste ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave ndaj diplomatit të huaj nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryedemokrati Lulzim Basha që e cilësuan diplomatin e huaj si anëtar të klubit të kanabisit të Ramës.
Nga ana tjetër, Basha u shpreh dje se bëhet fjalë për një projekt mafioz, ku janë të përfshirë diplomatë me qëllim për t’i dorëzuar drejtësinë Edi Ramës.
PS akuzoi Berishën dhe Bashën se kanë për qëllim të bllokojnë Vettingu-n,të shuajnë shpresën e shqiptarëve përmes çadrës që mundëson vetëm fshehjen e së vërtetës nga realiteti dhe ofron vetëm kërcënime dhe dhunë.
Reagimi i Partisë Socialiste
Çadra nuk ka as plan dhe as shpresë për t’i ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve
Berisha dhe Basha nuk kanë asgjë çfarë t’i ofrojnë Shqipërisë, përveç se t’i quajnë “mafiozë” partnerët tanë europianë, të bllokojnë Vettingun dhe të shuajnë çdo fije shprese të shqiptarëve për zhvillim dhe mirëqenie ekonomike.
Ata mund të ofrojnë vetëm gënjeshtra nga çadra e tyre, e cila është kthyer tashmë në strehën e fshehjes të së vërtetës nga realiteti. Tashmë po bëhet përherë e më e qartë për të gjithë shqiptarët, se kjo çadër nuk ka as plan dhe as shpresë për t’i ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve, përveç thirrjeve dhe kërcënimeve për dhunë. PS-ja nuk do ta lejojë PD-në dhe askënd tjetër që ta kthejë Shqipërinë mbrapa në të kaluarën e kaosit dhe paligjshmërisë; dhe ne nuk do të lejojmë askënd të bllokojë rrugën tonë drejt Europës dhe drejt shpresës për drejtësi e më tepër vende të reja pune.
(XH.A/SHUPLAKA)