“Nuk do ta besoja kurrë që do flisja në studiot e Fax News për ikjen e Kasemit”, kjo fjali e Artur Çanit është ajo që i vjen në mendje çdo personi që e njohu dhe bashkëpunoi nga afër me presidentin e Fax news, i cili me këmbënguljen dhe vendosmërinë e tij, mundi të realizoi ëndrrën e madhe të krjimit të një media të lirë, në një treg që jo në pak raste kërkon kompromise.
I ftuar në studion e Fax News, Çani u shpreh se televizioni që ngriti Hysenbelliu nuk qe kurrë i politikanëve, ndërsa shton se largimi i presidentit është një nga gjërat e fundit që do të donte të dëgjonte dhe të besonte.
“Ka shumë gjëra që njeriu nuk i pret në jetë, nëse një njeri do më thoshte që unë do vijë të flisja në studiot e Faxit që të flisja për Kasemin që nuk është më, nuk do ta besoja kurrë. Ishte një gjë që nuk më shkonte kurrë në mend. Ishte një njeri që ngriti një media.
Nuk qe televizioni i politikanëve që paguajnë lekët, Kasemi nuk është më dhe unë të vi këtu të flas për të, është në kufijtë e të pabesueshmes. Po flisja me Becin, i cili më thoshte se situatën e kishte parandjerë, mua me dukej pozitive situata, prisja nga dita në ditë që të shërohej dhe ta takoja sërish këtu në studio.
Takimin e fundit me të e kam peng, dhe do të doja që ta mbaja private. Une me Kasemin jam njohur rastësisht, Irfanin e njihja më parë, në fillim në takimin tonë kemi pasur një mosbesim dy palësh. Kasemi e përjetonte në çdo moment, pa u krijuar ende ai mendonte se ku do vendoseshin kamerat. Është hera e parë që unë e ndjej Covidin kaq afër, është hera e parë që vendos maskën, jo nga frika nuk e di pse, unë e kam të vështirë që ta besoj se Kasemi sot nuk është më.
Ky televizion do vazhdojë ashtu siç ka qenë, shpresoj shumë te liria. Ky televizion bën që gazetarët të thonë dhe të bëjnë atë që duan, Kasemit i dhimbte shumë ikja e gazetarëve, e përjetonte njësoj si ti largohej një njeri i shtëpisë”, u shpreh Çani.
President i Fax Media Grup ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me Covid-19. Zoti Hysenbelli u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të Shtune në Turqi, ku ishte duke u kuruar prej disa javësh, Ai nuk mundi që të fitonte dot betejën me virusin, pavarësisht përpjekjeve të mjekve dhe lutjeve të familjarëve, miqve dhe të gjithëve atyre që e kanë njohur.
Fax Media ka humbur arktitektin e tij i cili e themeloi nga e para në Tetor të vitit 2017, duke qenë drejtor dhe pronar i vetëm. Kontributi i zotit Hysenbelli në median shqiptare ka qenë i vyer, i veçantë, i shumanshëm dhe i gjatë.
Diplomuar për matematikë dhe në fushën e Jurisprudencës, ai tashmë mbetet një personalitet në median shqiptare me një angazhim 20-vjeçar, si drejtues i disa prej tyre. Ai fillimisht është angazhuar si drejtor i Përgjithshëm i Gazetës Panorama. Nga 2001-2012 ka drejtuar këtë gazetë. Nga 2012 deri 2016 Drejtor i Përgjithshëm i News 24. Zoti Hysenbelli themeloi të parin TV të pavarur në vend Fax News, që me përkushtimin dhe vendosmërinë e tij, u shndërrua përtej çdo parashikimi në zërin e njerëzve të thjeshtë. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”
Për një periudhë tepër të shkurtër, zoti Hysenbelli në drejtimin e Fax News, shtroi rrugën e një modeli mediatik të përqafuar nga qytetari shqiptar, të tregojë pavarësinë e asnjanësinë e një media kur media në përgjithësi, ishte në rënie të lirë sa i përket besueshmërisë së qytetarëve. Beteja e tij për tu futur dhe mbijetuar në tregun mediatik ka qenë në kushte aspak komode, jo të barabarta dhe jo pak herë edhe e shënjestruar, por aleanca e pakompromis me të vërtetën dhe qytetarin, e shndërroi në atë për të cilën ishte krijuar.
Zoti Hysenbelli ofroi një pasqyrë mediatike ku mjetet e kontakteve të saj nuk ishin të mbushura me shqetësimin e politikës dhe politikanëve mbi të vërtetat e hidhura ndonjëherë; të personazheve që shqetësohen për bëmat e tyre; të krimit që blinte informacionin; të biznesmenëve ndaj të cilëve punonjësit e tyre kishin ankesa. Dyert e Fax News zoti Hysenbelli i shndërroi në një organ të rëndësishëm ku drejtësia ballafaqohej me padrejtësinë duke mbajtur gjithnjë krahun e të vërtetës.
Mjetet e kontaktit të Fax Medias u hapën për qytetarët, pa dallime të çfarëdollojshme. Ekrani që krijoi zoti Hysenbelli përfaqëson denjësisht atë për të cilën u krijua, që sot ndiqet dhe përcillet në disa platforma në shumë shtete të botës përmes asaj televizive dhe online.
5 Dhjetori është një ditë e dhimbshme për familjen Hysenbelli, bashkëshorten e tij Enkelejda, djalit Kevinit dhe vajzës Donika si dhe familjarët, të afërmit e bashkëpunëtorët ndër vite.
Sot është një ditë e dhimbshme dhe humbje e pazëvendësueshme edhe për familjen e Fax Media Grup, për çdo punonjës të kësaj mediaje të cilëve Hysenbelli u dha ndër vite besnikëri, liri profesionale, nxitje për të gjetur dhe transmetuar vetëm të vërtetën. I gjithë stafi i televizionit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelli për humbjen e madhe.
(E.K/Faxweb.al)