Producenti Skënder Jançe i ftuar në emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” ka folur rreth projekteve të realizuara prej tij, të asaj që njihet si kinemaja e hapur lëvizëse. Jançe rrëfen momente shumë të bukura nga interesi që ka ngjallur në sheshet e qyteteve shqiptare kjo lloj kinemaje.
Ai rrëfen një ngjarje të ndodhur vjet në pazain e Tiranës ku kinemaja ngjalli interesin e të moshuarave të cilat rendnin me shkopë për të parë filmin italian “Ditë Dashurie”. Kjo sipas producentit ndodhi dhe pasi tematika e filmit lidhej direkt me diçka që ndodh shpesh në këto kohë në familjet shqiptare në fshat, ku këto familjet edhe pse jo në gjendje shumë të mirë ekonomike sajojnë gjithmonë gjëra për të festuar celebrimin me komshinjtë.
“E kam bërë vjet tek Pazari i Ri dhe nuk e ke idenë sesa interes ka pasur, zbrisnin plakat nga 70-80 vjeçe me shkop nga shpia. Më kujtohet që bëra një film të Giuseppe de Santis, me Marina Vladin dhe Marcello Mastroianni “Ditë Dashurie”, po ishte një film që zhvillohej në një fshat dhe një ngjarje aktuale në Shqipëri, për këto dasmat që një familje nuk ka ta martojë dhe sajon gjëra për komshinjtë. Është një ngjarje shumë e bukur dhe pati shumë interes te pazari.
Por mbështetja duhet të jetë edhe nga ana e Bashkisë së Tiranës pasi qendra nuk mun t’i përballojë të gjitha shpenzimet. Filmi është pak defiçitar dhe kërkon pak dashuri. Në Himarë ka patur shumë të huaj që e kanë ndjekur filmin madje dhe të ulur në çimento me fëmijë në krahë, ku dhe kam bërë disa foto shumë të bukura.”- tha Jançe.