Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade e ftuar në emisionin “A Show” ka folur për ndryshimin mes PS-së së Fatos Nanos dhe asaj të Edi Ramës, duke ju kundërvenë ashpër këtij të fundit për ndryshimet në parti.
“Gjykoj që Nano respektonte strukturat e partisë, ligjet që kemi brenda partisë që janë në PS. Tani është hequr zgjedhja, vete kryetari i partisë s’është zgjedhur, ka 12 vjet.
Në PS është hequr procesi i zgjedhjeve dhe është zhdukur gara. Zgjedhjet nuk i fiton partia. Unë kam kandiduar me Blushin disa herë në parti. Blushin e sillte Nano, por deri aty. Më pas fitoja unë. Partitë duhet të jenë sa më demokratike. Shqipëria ka pasur pikën më të fortë kartën rajonale, e cila është zbehur tashmë.
PS duhet të riorganizohet. Më vjen keq për kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla që tha sot Gent Cakaj është kandidature e PS dhe prandaj është emëruar për ministër të jashtëm. Ai nuk është kandidaturë e PS, por nga oborri i Ramës. Unë nuk jam në Kuvend prej disa kohësh, por marr pjesë në konferenca. Të heshtësh do të thotë të mos bësh detyrën ndaj vendit. Nuk do hesht më.”-tha Dade.
Ndërkohë Dade ka komentuar lajmet që qarkullojnë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj aspiron të drejtojë Partinë Socialiste. Dade tha se nuk ka asgjë të keqe nëse ai aspiron një gjë të tillë, ndërsa shtoi se ai zotëron të gjitha cilësitë për të drejtuar PS-në.
“Nuk ka ndonjë gjë të keqe pse Veliaj aspiron të jetë kryeministrër. Është një përfaqësues i brezit të ri në politikë. Është i formuar është njeri i punës dhe i ka cilësitë që të drejtojë PS. Por e rëndësishme është që në PS të ketë një garë”- tha Dade.