Klajda Gjosha, e para në listën e kandidatëve të LSI-së për Tiranën, ka qenë e para që ka marrë fjalën në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në fjalën e saj ndër të tjera, ajo ka reaguar ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të gjobitur LSI-në e cila vendosi në listën për Tiranën tri gra.
“Për herë të parë në histroinë politike kemi tre gra dhe vajza në krye të listës së kryeqytetit. Në fakt nuk ndodh në asnjë vend të botës që të penalizohesh se favorizon tre gra dhe vajza me shumë vlera. Ju garantoj se LSI nuk do dorëzohet kurrë duke i barazuar vajzat dhe gratë e saj me një gjobë. Askush më mirë se një grua dhe vajzë nuk mund të kuptojë sfidën e madhe të një familje shqiptare.”, u shpreh Gjosha.
Gjoba e vendosur nga KQZ për LSI-në është ndjekur me replika, kryesisht mes Luan Ramës dhe Monika Kryemadhit. Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim reagoi pasi Luan Rama u shpreh i gatshëm për ta paguar. Duke argumentuar se LSI nuk është parti kuotash, ajo i kërkoi Ramës të tërhiqej nga ky vendim.
Kjo gjobë nga KQZ-ja erdhi pasi në qarkun e Tiranës në 3 emrat e parë në listë për kandidatë nga LSI-ja janë tre femra. Kjo bie ndesh me një nen të Kodit Zgjedhor, ku raporti gjinor duhet të jetë 2 me 1.
(XH.A/SHUPLAKA)
Discussion about this post