Tre motra me probleme të shëndetit mendor janë abuzuar prej vitesh seksualisht para syve të institucioneve shtetërore në Lezhë, të cilat e pasojnë problemin te njëra-tjetra përmes shkresave dhe ngrenë duart të dorëzuar kur pyeten nëse motrat mund të mbrohen nga shteti.
Të treja vajzat e familjes Kola kanë probleme të shëndetit mendor, dhe nga ana tjetër njëra prej tyre ka fëmijë, ndërsa një tjetër është shtatzëë.
Njëra prej motrave, Flora Kola shprehet për gazetarin e ‘’Fax News” Martin Marku: Unë dal pi kafe, motrat mbledhin kanaçe, na kanë hequr nga shkolla. Jemi tre motra, Moza dhe Majlinda dhe unë. Baba imë ka vëlla, baba ka vdek. Motra ka një fëmijë e kanë murgeshat në Elbasan, unë nuk kam fëmijë nuk më pëlqen që të kem, unë s’kam qejf me e bërë kopilë.
Kushtet në të cilat ato jetojnë janë shumë të vështira, ndërsa abuzimet seksuale ndaj tyre mbeten ende të pazbardhura.
Fqinjët rrëfejnë se edhe pse motrat nuk janë problematike, abuzimet ndaj tyre janë kryer prej vitesh.
‘’Jena qelb si shoqëri, jena të paedukatë. Për mua janë shumë të mira. Kam parë njerëz që e shohin veten si shumë të mençur, dhe nga ana tjetër janë dhe familjarë që hyjnë në banesën e tyre”, shprehet një prej fqinjave.
Abuzimet seksuale mbi gratë me probleme mendore kanë ndodhur ditën me diell në rrugët e Lezhës, ndërsa një mori institucionesh përfshi Shërbimin Social Shtetëror (SHSSH), Zyra e Shërbimit Social pranë Bashkisë Lezhë, Prokuroria apo Policia e qytetit kanë bërë një sy qorr. Përkundrazi të gjitha këto institucione ja hedhin fajin njëra-tjetrës.
Drejtori i shërbimit social shtetëror Keler Sufja thotë se vajzat kanë qenë në qendër komunitare por u hoqën se kaluan moshën.
Edhe pse abuzimi për motrat me probleme mendore ndodh në mes të ditës burime nga Policia e Lezhës thonë se nuk ka patur asnjë kallëzim lidhur me këtë ceshtje.
As prokuroria nuk ka hapur hetime. Një video e filmuar nga një telefon celular u bë virale në shtator të vitit 2017 në faqe të ndryshme interneti në Shqipëri.
Video që u shit si “skandal seksual” në një sërë faqesh online, u gjet më vonë se kishte për personazh njërën prej motrave nga Lezha.
Policia e Lezhës filloi atëherë procedimin penal dhe ndoqi në gjendje të lirë një 85-vjeçar i cili u akuzua për “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Ndërsa nuk qe e mundur të mësohej nga prokuroria arsyet e mosfillimit të hetimeve, kurse policia nga ana e saj u justifikua se nuk kishte pasur referime.
Kodi Penal parashikon dënime nga 5 deri në 15 vjet burg për abuzuesit, kur personi i “paaftë për tu mbrojtur” pëson dëmtime shëndetësore.
Dhe historia vazhdon, kjo familje me 4 gra jeton e pambrojtur, shteti hesht, ndërsa abuzuesit janë gjithmonë duke përgjuar momentin e duhur për të zënë prenë e tyre.
(E.K/FAXWEB.AL)
https://www.youtube.com/watch?v=jKyXPLrX9JA&feature=youtu.be