Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se çdo marrëveshje me Kosovën, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve, duhet t’i garantojë vendit të tij anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Nëse ndonjëherë arrijmë marrëveshje me Kosovën, Serbia duhet ta ketë të sigurt se do të bëhet anëtëare e BE-së më 2025”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters më 13 shtator.
Presidenti serb ka thënë ndër të tjera se arritja e marrëveshjes mund të zgjasë deri në 10 vjet, për shkak të dallimeve mes palëve.
“Ndonjëherë qeshi kur dëgjoj njerëzit si i bëjnë gjërat të lehta dhe thonë se, unë do t’iu jap juve tri fshatra dhe unë do t’iu jap gjashtë të tjerë në këmbim”, është shprehur ai.
Me këtë deklaratë ai u është referuar diskutimeve të fundit për ndryshim kufijsh në mes të dy shteteve.
“Nëse ndonjëherë do të arrijmë marrëveshje, do të ishte një pakt që nuk do të përfshijë vetëm marrëdhëniet në mes neve dhe shqiptarëve në Kosovë, por edhe rezolutën për rrugën drejt BE-së dhe zhvillimin e ardhshëm ekonomik”, ka thënë ai.
“Tani për tani, ne nuk e dimë ku i kemi kufijtë”, është shprehur Vuçiç.
“Askush në rajon nuk duhet të jetë i frikësuar nga arritja e ndonjë marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, rajoni do të jetë më më stabil, më i fuqishëm dhe më atraktiv”, është shprehur ai.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, synojnë arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja palët.
Takimi i fundit në mes të dy presidentëve në Bruksel, atij të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiç, ka dështuar të mbahet, pasi ky i fundit ka refuzuar të takojë delegacionin nga Kosova.
Ndërkohë që kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli por edhe Fatmir Limaj i cili do të jetë dhe kryetari i delegacionit që do të negociojë marrëveshjen me Serbinë, janë shprehur qartë kundër shkëmbimit të territoreve.
Sipas tyre Kosova është shtet sovran dhe duhet të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB me kufijtë që ka shpallur pavarësisnë në 2008. (B.H/Faxweb)
Discussion about this post