Nga Ilir Yzeiri:
Nëse do të niseshim nga faktet personale, unë jam njëri prej atyre që e kam provuar në kurriz hipokrizinë, dhe harbutllëkun e Edi Ramës. E kam provuar atëhere kur edhe nën këshillën dhe sugjerimin e mikut tim më të ngushtë Andrea Stefani që tani nuk jeton më, u futa në garën për Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së dhe ashtu si Elvira Dones apo edhe ndonjë tjetër u tallëm keqas nga Rama, sepse na bëri të recitonim platformën përballë një komisioni hermafrodit dhe nuk besuam atë që qarkullonte qysh në fillim se Edi Rama e kishte përzgjedhur që më parë Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së. Se çfarë lidhjeje kishte Edi Rama me atë që zgjodhi si Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së, këtë nuk ka asnjë Perëndi që e shpjegon.Vetëm një lidhje u përfol atëhere dhe ajo ishte lidhja e të vëllait të Edit më drejtorin aktual. Për këtë Edi ndryshoi edhe ligjin për mediat Radiovizive dhe opozita dhe Luli nuk u ndienë fare.
Unë këtë aferë, por edhe disa të tjera dhe sidomos koncesionet e Beqajt i kam denoncuar dhe nuk jam rezervuar të them në një shkrim të dikurshëm se Rama po bëhet i urryer me shpejtësi si Berisha, sepse po krijon një klimë të keqe me stilin e tij për të qeverisur me dordolecë e për të shpërfillur zërat dinjitozë të opinionit publik.
Por vetëm kaq, nga ana tjetër, kam numëruar edhe punët e vërteta që ai ka bërë dhe ndër to kam veçuar sidomos nxitjen për reformën në drejtësi, atë për të kontrolluar territorin, atë në energji, në policinë e shtetit dhe sidomos ngritjen e dinjitetit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare falë performancës së shkëlqyer të Edi Ramës.
***
Aktualisht Edi Rama është vënë në shënjestër të një retorike të stërnjohur dhe të stërpërsëritur nga opozita, e cila, duke zaptuar Bulevardin e Madh ka bllokuar jo vetëm trafikun e kryeqytetit, po ka mpirë edhe ligjërimin publik.
Nuk kam ndërmend të komentoj as lëvizjet e Edi Ramës në qeveri as monologët e Çadrës. Bllokimi që po u bëhet reformës në drejtësi dhe Vetingut natyrisht është një shpjegim i kënaqshëm për mua.
Ndërkaq e kam të vështirë të kuptoj se si mund të transformohet njeriu dhe të nxjerrë nga goja fjalë që jo vetëm nuk të bindin, por që janë shenja të një dëshpërimi tragjik dhe të një helmi të paramenduar. E kam fjalën për Koço Kokëdhimën, të cilin kam qenë ndër të paktët që e kam mbrojtur dhe e kam vlerësuar me të drejtë atëhere kur gjithë shtypi iu vërsul në shpinë dhe nuk e miratonte kandidimin e tij si deputet.
Nuk jam penduar për atë shkrim, por e kam të vështirë të kuptoj sot se si një njeri që ka një ndihmesë të dukshme në bashkimin e Metës me Ramën dhe një kontribut e integritet të spikatur menaxherial, i shtyrë nga urrejtja për ish-mikun e tij, të thotë se Rama mund të provokojë vitin e mbrapshtë 1997. Rama, jo vetëm që nuk e provokon atë vit të mbrapshtë, por, me stilin e tij, ai po provokon një përgjumje dhe zvarritje politike. Natyrisht secili është i lirë të zgjedhë armët dhe mjetet për të shfryrë inatin dhe urrejtjen, por e vërteta mbetet gjithmonë jashtë urrejtjes.
***
Është për t’u çuditur, se media në Tiranë dhe opinioni publik nuk merret fare me çfarë po ndodh në Maqedoni. Përveç Çadrës në Bulevardin e Tiranës, Edi Rama është vënë në qendër të sulmeve e kritikave të ashpra nga shtypi maqedonas, rus e serb për platformën e shqiptarëve të Maqedonisë. Bllokimi i rrezikshëm kushtetues në Maqedoni po i faturohet Edi Ramës. Atje vendi rrezikon të përfshihet nga një konflikt i egër etnik dhe të paktën formalisht, ata që njihen tradicionalisht si armiqtë e shqiptarëve, fajësojnë për këtë Edi Ramën. Shqiptarët janë kombi më mendjelehtë në botë.
Nuk jam i sigurtë se kush e ka thënë këtë përcaktim, por mua më duket se e kam dëgjuar dje dhe e dëgjoj ende. Në Maqedoni jetojnë mbi 20% shqiptarë dhe sot ata janë vënë përballë një prove të madhe. Nga ana tjetër, askush nuk e mohon se Edi Rama e ngriti në një nivel europian shqetësimin dhe performancën e shqiptarëve në Ballkan. Për herë të parë shqiptarët në Maqedoni u bashkuan në një platformë të vetme dhe sot janë faktor në shtetformin e atij vendi.
Perfomanca e Edi Ramës u dha një përmasë tjetër edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe siç e kam thënë edhe herë të tjera, Edi Rama e ridimensionoi në mënyrë europiane çështjen çame. Unë e di që nacionalizëm do të thotë luftë, por Edi Rama nuk po nxit asnjë nacionalizëm, ai vetëm po bën detyrën për të mbrojtur me dinjitet të drejtën e çdo shqiptari kudo që ai jeton ashtu siç bëjnë amerikanët, francezët apo të tjerët. Tani më lind e drejta të pyes miqtë-armiq të Edi Ramës që shiten si patriotë të vonuar, a nuk do të mjaftonte kjo perfomancë e tij që të mos e përqasnin atë me Marsin ’97 të piramidave të Berishës? Nuk u besoj teorive konspirative, por po them vetëm një të vërtetë, si ka mundësi që Edi Rama anatemohet me të njëjtën egërsi si nga çadra si nga gazetat ruse, maqedonase e serbe?
Personalisht, më intereson më shumë e vërteta sesa Edi Rama dhe kjo e vërtetë nuk më lejon që arsyet personale të më dërgojnë në humnerat e urrejtjes që fluturon me çadër nëpër rrëpirat e gënjeshtrave të ëmbla.