Nga Telnis Skuqi
Si gazetar kam shkruajtur qindra tragjedi njerëzore. Si gazetar kam fotografuar mijëra drama njerëzore, por kurrë nuk e kisha menduar që një gazetar të ishte vetë një dramë. Jetë e poshtër! Plot 42 vite, e 45 ditë, kam pritur t’i jap fund dramës sime familjare. Pritje e gjatë, por me një fund të bukur. Sot kam mbyllur një kapitull të errët. Kisha grumbulluar urrejtje. Isha gati të shkatërroja gjithçka që kisha ndërtuar me sakrificë për të marrë hak ndaj atyre që më braktisën.
Vërtet isha verbuar nga urrejtja, sepse asnjë nga njerëzit e mi të gjakut nuk u bënë të gjallë në fëmijërinë time. Më kanë rrahun dhe torturuar sepse isha “zog korrenti”, unë bërtisja “O nëna ime”. Më kanë përbuzur si jetim, unë kërkoja mbrojten e nënës sime. Kam përjetuar urinë, unë doja të pija gjirin e nënës sime. Më kanë burgosur qysh 13 vjeç, unë sërish kërkoja ngrohtësinë e nënës sime dhe për të gjitha këto mungesa mendoja vetëm hakmarrjen ndaj nënës sime.
Befas një telefonatë më mposhti. ISHTE IME MËMË. Çfarë të them. Kam dëgjuar plot këngëtarë dhe artistë me zë të bukur, po ashtu kam lexuar qindra libra të bukura, por kurrë në jetën time nuk më kishte shkuar ndërmend që zëri më i bukur në këtë univers është i NËNËS sime.
Sinqerisht kisha nevojë për zërin e saj. Ajo më zbuti zemërimin dhe më shtoi dashurinë. Harrova hakmarrjen dhe urrejtjen. U mrekullova si i droguar me fjalët e ëmbëla të nënës. – “Dreq”, thashë me vete, “si e gjeti nëna ime ilaçin për të më shëruar nga sëmundja e urrejtjes, si me një të fshirë lapsi”.
Ajo qortonte veten, unë merrja fajet e saj. Ajo mallkonte veten për fatin e saj, unë sërish merrja fajet e saj. E mirë apo e keqe, ajo është NËNA IME, thashë me vete, do ta mbroj deri në fund. Epo, gjaku nuk bëhet ujë, vulosa unë, dhe sakaq vazhdova bisedën me time nënë deri në pafundësi.