Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit iu referua liderit demokrat si “Bufi i Kënetës”.
Berisha e akuzoi Ramën për manipulim dhe mashtrim publik, duke pretenduar se ai fabrikuar pyetje dhe përgjigje për të shmangur transparencën me gazetarët.
“Nuk dua të humb kohë me një njeri që sajon pyetje dhe i përgjigjet vetë. Kjo është një skemë mashtrimi për të shmangur përballjen me median dhe qytetarët. Aq i kriminalizuar është, sa ka frikë edhe nga rojet e godinave të mediave,” u shpreh Berisha.
Ai ironizoi Ramën, duke thënë se duhet lënë në “botën e tij” me “zhabat, hardhucat dhe bretkosat”.
“Detyra ime është të dal para jush me programin e PD. Nuk dua t harxhoj asnjë minutë kohë me njeriun e mashtrimit publik, i cili duhet të informojë shqiptarët se i sajon vetë pyetjet që do dhe mashtron sikur ato pyetje i vijnë nga vetja. Nga verifikimi i fakteve, në 1400 komente nuk ekzistonte as pyetje as emri i atij që pretendonte Edi Rama se e ka pyetur. Ky përbën mashtrim publik. A mundmë t’i përgjigjem një mashtruesi publik që në momentin që del se pyetet gjasme dhe përgjigjet pa u pyetur fare do të thotë se ka hartuar vetë një pyetje dhe përgjigje. Ky meriton përçmim. Unë të isha gazetar i bëja padi publike për mashtrim. Ka gjetur mënyrën më skandaloze për të shmangur transparencën para gazetarëve. Aq i zhytur dhe i kriminalizuar është sa ka frikë jo vetëm nga gazetarët, por edhe nga rojet e godinave të mediave se mos i bëjnë pyetje. Ta lëmë të flasë çdo ditë, zhaba, hardhuca, zhapikë e bretkosa. Lëre në botën e tij, mos ta nxjerrim nga bota e tij”, tha ai.