I dërguari i Presidentit Donald Trump, ambasadori Richard Grenell, i bëri thirrje të martën qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndëshkuese ndaj mallrave serbë që kanë bllokuar procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve ballkanike.
Grenell, ambasador në Berlin, tha se SHBA-të presin që “tarifat të hiqen menjëherë”.
“Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë udhëheqësve të partive në Kosovë që heqja e tarifave ishte në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj si dhe synimeve për të tërhequr biznese të reja,” tha ai në një deklaratë dërguar nëpërmjet postës elektronike për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Ambasadori Grenell muajin e kaluar ndërmjetësoi një marrëveshje për vendosjen e linjës ajrore ndërmjet të dyja vendeve pas 21 vjetësh dhe hapi diskutimet për rihapjen e linjës hekurudhore ndërmjet tyre. “Ne po shënojmë përparim historik,” tha ambasadori Grenell.
“Ka shumë të reja që do të publikohen së shpejti sepse të dy palët duan të ecin përpara. Këto lëvizje do të krijojnë një jetë më të mirë për njerëzit e rajonit”, tha ai. Ditë më parë gjatë një vizitë në rajon, i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se “Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës”. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e Kosovës refuzoi edhe thirrjet evropiane e amerikane për heqjen apo pezullimin e tyre. Të hënën Kosova u bë me qeverinë e re pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Kryeministri i ri, Albin Kurti tha se qeveria e tij do të vendosë “reciprocitetin e plote me Serbinë”.
Emërimi i një të dërguari të posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi nuk është përfundimtar, por një ide që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e ka diskutuar me zyrtarët në Prishtinë dhe Beograd, tha për gazetarët në Bruksel zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano.
“Në takimet me bashkëbiseduesit e tij, Borrell e ka përmendur idenë që një zyrtar evropian të ngarkohet me agjendën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo ka qenë një nga shumë idetë që janë diskutuar me partnerët”, tha Stano.
Ai tha se nuk dëshiron t’i komentojë spekulimet në mediat lokale rreth të dërguarit të BE-së, duke shtuar se është “shumë herët të flitet për statusin, gradën apo emrin e atij personi”. Borrell, javën e kaluar, ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin. Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të emërojë një përfaqësues të posaçëm, i cili do të angazhohet më shumë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018 kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind importeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës. Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë emëruar të dërguarit e tyre të posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi. Ky proces, që ka nisur në vitin 2011, është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ndërsa ka pasur mbështetjen e SHBA-së.