Kolegji i Posatshëm i Apelimit ka vendosur që të shkarkojë nga detyra prokurorin Gentian Osmani, duke ndryshuar vendimin e dhënë pak kohë më parë nga ana e KPK.
Sipas arsyetimit të dhënë në KPA, Osmani ka pasur burime të pamjaftueshme për pasurinë e tij, dhe apelimi i Komisionerit Publik ka qenë me vend.
Gentian Osmani ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Me shkarkimin e tij KLP mbetet sërish me 10 anëtarë, dhe pritet të hapet edhe njëherë gara për vendin vakant te 11-të.
Osmani ishte një nga prokurorët që u sulmua më së shumti nga opozita, për shkak të hetimit të tij për çështjen Babale, ku futi në burg dhe zvarriti në procese gjyqësore denoncuesit e Agron Xhafajt.
Cfare rezultoi ne seancen degjimore:
Gjate seances se shkuar, relatorja e trupit gjykues u vuri në dispozicion palëve përgjigjen e kthyer nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me denoncimet e bëra në adresë të prokurorit Osmani. Duke iu referuar përgjigjes, rezultonte se për asnjë nga tri denoncimet e bëra gjatë procesit në Apel, nuk provohej me prova.
Sipas relacionit, në këto denoncime pretendohej se Osmani kishte udhëtuar jashtë vendit me një avokat dhe pas kësaj ishin pushuar hetimet për klientin e këtij avokati. Nga sistemi TIMS, ky fakt nuk rezultonte i vërtetë. Më tej, denoncimi i dytë pretendonte se prokurori kishte përdorur makinën e një zyrtari të administratës, ndaj të cilit kishte pasur hetim për një çështje dhe në denoncimin e tretë pretendohej se prokurori kishte firmosur shpalljen e moskompetencës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në çështjen me të pandehur Suel Çelën dhe të tjerë.
Prokuror për këtë dosje nuk rezulton të ketë qenë Osmani, por B.D.. Në fund, prokurori dhe njëherësh anëtari i KLP-së i konsideroi denoncimet si shpifje dhe kërkoi nga Kolegji një analizë financiare të pasurisë, kërkesë e bërë edhe nga Komisioneri dhe që u pranua nga KPA.
Për pasurinë, KP pretendoi gjatë seancës se subjekti nuk mbulon me burime të ligjshme këstet e paguara për shlyerjen e apartamentit deri në mars të vitit 2009 në vlerën – 1.041.085 lekë.
Ai shtoi se edhe në prezumim të shpjegimeve mbi pagesën e këstit të apartamentit në fund të dhjetorit të vitit 2009, sërish rezulton se nuk mbulohen me burime të ligjshme pagesat e apartamentit dhe kursimet e krijuara deri në fund të vitit 2009, për një diferencë negative prej – 890,349 lekësh. Sipas komisionerit, prokurori nuk mbulon me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet për vitin 2011, në shumën 1,044,035 lekë dhe për vitin 2013 në shumën 1,145,915 lekë.
(E.K/Faxweb.al)