Në një kohë kur i refuzoi ftesën për takim presidentit Meta, kryeministri Edi Rama është shfaqur mëngjesin e sotëm në një ambient privat pranë presidencës, duke bërë not.Pavarësisht se në refuzimin që i bënte ftesës së Metës, Rama thoshte se nuk kishte axhendë të lirë, burimet bëjnë me dije se rreth orës 7 e 30 ai është shfaqur pranë pishinave të një hoteli luksoz në kryeqytet.
Rama nuk shkoi në takimin e thërritur nga Meta, me pretendimin se ishte i zënë me fushatën elektorale për zgjedhjet e së dielës, dhe shtoi se kabineti e tij kishte njoftuar presidentin për axhendën e ngjeshur.
“Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial,ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh,kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim.Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë!”, shkruante dje Rama.
Njoftimi i shpërndarë dje nga presidenca:
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend.
Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00.
Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë.
(E.K/Faxweb.al)