Prej disa ditësh në debatin mes Haradinaj dhe Ramës që nisi pas Samitit të Berlinit janë përfshirë dhe politikanë të ndryshëm.
Ditën e djeshme ka qenë Kryeministri Rama që i ka quajtur dhe një herë tjetër gënjeshtra deklaratat e Haradinajt.
Lidhur me këto akuza ka reaguar dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili është shprehur se Rama përveç se ka bërë një marrëveshje me Vuçiç për ndarjen e Kosovës, e ka lobuar publikisht këtë skenar.
“Edi Rama jo vetëm që ka hyrë në valle të ndarjes së Kosovës por edhe krejt publikisht ka lobuar për një skenar të tillë që nga vera e vitit të kaluar. Tani, kur ky ‘projekt’ antishqiptar është pothuajse i vdekur, Rama po provon t’i bëjë dy punë krejt palidhje; provon që në të njëjtën kohë ta shpëtojë projektin pothuajse të vdekur, si dhe të shfajësohet për nisjen e tij. Po në të njëjtën kohë, skuqet sysh kur dikush ia thotë të vërtetën. Mbreti është cullak”, ka shkruar Gjini në një postim në Facebook.”
Gjini është shprehur se Rama është një politikan oportunist dhe cullak që nuk mund të krahasohet me Haradinaj pasi ai do të jetë gjithmonë një hero.
“Rama, je vetëm një politikan skajshëm oportunist. Nuk je fare mbret, je krejt cullak. Dhe kur flet për ndarje të Kosovës, po gënjen sa je i madh ti vet. Dhe je goxha i madh, nja njëqind kile mish. Edhe nëse bota kthehet mbrapsht, Ramush Haradinaj do të mbetet hero, edhe i luftës edhe i pasluftës. Ndërsa ti, një dikush që ka dashur të bëhet mbret por ka mbetur cullak. Tani gjeje vet se kush janë gomarët, gënjeshtarët e psikopatët”, ka shkruar ai.
(J.B/FAXWEB.AL)