Shefja e misionit të vëzhguesve zgjedhore të OSBE/ODIHR, Urszula Gaçek, në një deklaratë për mediat ka thënë se roli i tyre në këto zgjedhje është vetëm vëzhgues dhe jo këshillues. Ajo tha se OSBE ODIHR nuk do të japë asnjë deklaratë deri pasditen e nesërme, kur të ketë mbaruar i gjithë procesi.
“Sot është dita më e rëndësishme, dita e zgjedhjeve, në fakt pyesin se cili është mendimi i saj kur shkon të vëzhgojë në qendrat e votimit. Dhe në fakt ajo që vëzhgon sot është një pjesë e vogël e të gjithë procesit, kjo është arsyeja se pse ne deri nesër pasdite nuk do të japim deklaratë. Sot na janë bashkuar ekspertë të ndryshëm.
Ne jemi këtu pikërisht për të vëzhguar, nuk jemi këtu për të këshilluar apo për të dhënë rekomandime. Shpresoj që tiu shoh të gjithëve nesër në orën 13 për të ndjekur deklaratën tonë”, tha Gaçek gjatë fjalës së saj për gazetarët.
Në Shqipëri janë 3,588,869 shtetas me të drejtë vote, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë emigrantë, të cilët edhe në këto zgjedhje nuk kanë të drejtën e votës në vendin ku punojnë dhe jetojnë.
Këto janë zgjedhjet e 10 parlamentare që mbahen në vendin tonë, që nga nisja e pluralizmit politik, ku njihen vetëm 2 raste të zgjedhjeve të parakohshme, ato që janë mbajtur në vitin 1992 dhe 1997.
Ndërkohë 7 procese normale zgjedhore janë (1991, 1996, 2001, 2005, 2009, 2013 dhe 2017). Vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë në mazhoritar. Zgjedhjet 1992-2005 janë zhvilluar me një sistem miks, 100 (115) zona në mazhoritar dhe 40 (25) mandate në proporcional.
Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u vendos kalimi në sistemin proporcional rajonal, me lista të mbyllura dhe me prag minimal zgjedhor 3%. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 u vendos ulja e pragut elektoral në 1% dhe aplikimi për herë të parë i listave të hapura proporcionale.
Numri i deputetëve ka ndryshuar vetëm në dy raste: më 1991 u ruajt numri i deputetëve i legjislaturave të fundit të periudhës komuniste (250 deputetë), si dhe më 1997 u ruajt sistemi i vitit 1996 me rritjen e numrit të deputetëve në proporcional nga 25 në 40 vende, për pasojë, parlamenti kishte 155 deputetë.
Prej ’96 numri i ulëseve në Kuvend është 140, ndërkohë që në këtë vit janë 12 parti dhe koalicione që garojnë në 12 qarqe të vendit, dhe në vetëm 4 prej tyre garojnë si të pavarur kandidatët që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, dhe Elton Debreshi, që vjen nga radhët e minatorëve dhe kandidon në qarkun e Dibrës.
Nëse kthehemi pas në kohë pjesëmarrja në zgjedhje ka ndryshuar mjaft, në krahasim me vitet e para të demokracisë. Në zgjedhjet e viteve 1991-1992, kur shteti kishte të dhëna të sakta të numrit të qytetarëve me të drejtë vote, janë regjistruar edhe shifrat më të vogla të numrit të zgjedhësve në listë dhe përqindjet më të larta të pjesëmarrjes në votime.
Gjatë viteve raportet janë përmbysur. Në zgjedhjet e fundit parlamentare më 2017 pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46,76%. Nga mbi 3.4 milionë qytetarë të regjistruar në listën e zgjedhësve votuan 1.613.810 zgjedhës. Sipas INSTAT numri i popullsisë më 2017 ishte 2.876.591, shifër shumë më e vogël sesa numri 3.452.324 i zgjedhësve në listë.