I pyetur se cila do të jetë qasja e Mazhorancës për vendimin që pritet të marrë (sapo të ngrihet) Gjykata Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit, Braçe u shpreh i bindur në ‘Top Talk’ se mazhoranca qeverisëse do të njohë ç’do vendim, madje sfidoi opozitën që të shprehet publikisht nëse do të bëjë të njëjtën gjë apo jo.
“Po patjetër, do zbatojmë vendimin e gjykatës Kushtetuese as nuk diskutohet. Por Gjykata Kushtetuese ka dy opsione, njërin që të marri parasysh ankesën që ka bërë Kryetarja në largim e Bashkisë Shkodër dhe tjetri eshte që të njohi legjitimitetin e zgjedhjeve. Pyetja është, po ata të tjerët a do ta njohin legjitimitetin e zgjedhjeve të dalë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Ne në të gjitha rastet kemi sjelljen institucionale. Pra ne në të gjitha rastet themi se do njohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nga pala tjetër nuk ka një vendim të tillë, madje unë jam i bindur që po i paraprihet thënies që është Gjykata private, personale e Edi Ramës”, deklaroi Braçe
I pyetur se si do të veproje Qeveria nëse Gjykata Kushtetuese njeh 13 Tetorin si datën e zgjedhjeve, Braçe deklaroi:
“Deri më sot në Gjykatën Kushtetuese ka vetëm një ankesë drejtuar nga shoqata e bashkive që drejton Partia Demokratike dhe që ka të bëjë me 30 qershorin. Me 13 tetorin s’ka asgjë në momentin që flasim” theksoi ndër të tjera zv/kryeministri Braçe.
Braçe pranoi gjatë intervistës se kjo situatë nuk është komode për qeverinë por nga ana tjetër u shpreh i bindur që vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme sepse kjo do të kthehej në një precedent të rrezikshëm.
“Nuk është komode, absolutisht nuk është komode. Të paktën unë jam mësuar ndryshe, por besoj edhe kolegët e mi e ndjejnë që kjo situatë nuk është komode. Duke nisur që nga zgjedhjet e 30 qershorit ku konkurrenca ishte e kufizuar tej mase. Unë mendoj që një palë zgjedhje me konkurrencë akoma edhe më efektive do të kishin sjellë një mobilizimim edhe më të madh nga pikëpamja organizative e Partisë Socialiste, por do t’i bënte mirë edhe vetë PS-së në formësimin e një alternative edhe më të qartë vendore”, deklaroi Braçe.
Por megjithese mazhoranca nuk e ndjen veten komode në këtë situatë, Braçe shprehet i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe për këtë fakt jep këtë arsyetim:
“Precedenti që është krijuar në harkun e këtyre muajve, në 5-6 muajt e fundit, nuk duhet të legjetimohet në këtë vend. Në rast se një precedent antikushtetues, i paligjshëm, i dhunshëm legjetimohet në këtë vend, unë mendoj se ai precedent do të riciklohet në kohë të ndryshme dhe natyrisht që nuk do të marri fund dhe Shqipëria do të vuajë mungesën e stabilitetit pikërisht për këtë arsye”, theksoi zv/kryeministri.