Kreu i LIBRAS-s Ben Blushi, pasditen e sotme ka qenë i ftuar në emisionin e Lutfi Dervishit në RTSH, ka përsëritur edhe një herë deklaratat e tij, se kreu i qeverisë dhe ai i opozitës, po planifikojnë për të qeverisur bashkë pas zgjedhjeve të 25-qershorit. Pavarësisht se Basha deklaroi një ditë më pare se nuk do kishte koalicion PS, PD, ai vazhdon të mendojë se kjo do të ndodhë.
“Unë i them ndërkombëtarëve se kjo është një marrëveshje për ta grabitur Shqipërinë bashkë dhe për të cënuar reformën në drejtësi. Pra, është nevoja që duke qenë bashkë në qeveri të krijojnë imunitet ndaj reformës në drejtësi. Për kë duhet dhe për kë u bë reforma në drejtësi? U bë për atë që vjedh dhe nuk paguan një faturë energjie 5000 lekë? Jo, u bë për politikanët kryesisht sepse populli i Shqipërisë…”, tha Blushi për marrëveshjen e kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së Basha.
“Prognoza është se ata prapë do të tentojnë të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve për të krijuar më shumë imunitet ndaj reformës në drejtësi se kush është në qeveri vështirë se preket nga reforma në drejtësi. Dhe Edi Rama e shiti reformën në drejtësi si një kërcënim ndaj opozitës ose ish qeverisë së vjetër dhe këtu u frikësua për hir të së vërtetës “çadra” dhe për këtë arsye u fut në qeveri dhe si një kërcënim ndaj partive të tjera. Pra, duan t’i japin vetes një monopol, një duopol që merr të gjitha të drejtat kushtetuese në dorë.”, vazhdoi më tej ai.
Në fakt që pas arritjes së marrëveshjes së dy lidërerëve politik, ku Rama i lëshoi Bashës 6 ministri dhe zv.kryeministrin është përfolur për mnjë marrëveshje mes tyre për të qeverisur bashkë pas zgjedhjeve. Mirëpo Basha një ditë më parë, deklaroi se nuk ka plane të qeverisë me Ramën. (D.D/Shuplaka)