Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe një për përplasjen me aleatët rreth çështjes së dinarit serb. Kurti ka thënë se nuk ishte në dijeni për vendimin që do të merrte Banka Qendrore e Kosovës. Ai thotë se presioni ndaj tij filloi pasi Vuçiq propagandoi se ky vendim do të sjellë “katastrofë” për serbët e Kosovës, transmetin Reporter.
“Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore mori këtë vendim, për rregulloren e re dhe bënë mirë. Nuk kisha ide për këtë vendim apo për drafitmin e kësaj rregullore. Gjithçka ishte duke shkuar mirë dhe pa probleme dhe në mes të janarit, pikërisht pasi përgatitjet po shkonin mirë, presidenti serb Vuçiq alarmoi rajonin dhe Evropën se “katastrofa” do të ndodhë prej 1 shkurtit kur dinari do të përjashtohet. Dhe atëherë presioni ndaj meje filloi, kur Vuçiqi foli. Ne nuk po përjashtojmë dinarin, mund të keni dinarë në Kosovë por mjet për pagesa është euro, sipas Kushtetutës mund të ketë vetëm një valutë.
Ne duam të ndihmojmë serbët dhe nuk ka qeveri që kur kemi shpallur pavarësinë që i ka ndihmuar komunitetit serb më shumë se ne”, tha Kurti ndër të tjera në një intervistë që u bë, gjatë qëndrimit të tij në Mynih për Konferencën e Sigurisë për gazetarin Andrew Mueller nga radio “Monocle”, të publikuar sot.
Zyrtarë të lartë amerikanë në ditët e fundit, kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës javën që shkoi, O’Brien tha: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Por, O’Brien tha të martën se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.