Ndërkohë që lëvizja e e themeluar nga themeluesi historik i PD-së Sali Berisha ka intensifikuar aktivitetin e saj nëpër Shqipëri këtë të martë brenda radhëve të PD-së është themeluar një fraksion i ri.
Ka qenë ish-kandidati për kryetar në PD, Fatbardh Kadilli, ai që ka prezantuar paraditen e sotme një lëvizje të re brenda Partisë Demokratike, e cila është pagëzuar me emrin “Iniciativa Demokratike”.
Ajo do të funksionojë si një fraksion brenda radhëve dhe filozofisë së PD, ndërkohë që i janë bashkuar disa personalitete si Ivi Kaso, Artan Hoxha, Enno Bozdo dhe disa figura të tjera demokrate.
“Në përputhje të plotë me statutin e PD, shpallim krijimin e një nisme të re, e pangjashme dhe e pashfrytëzuar më parë. Këtë mundësi na e jep statuti, për të shfrytëzuar talentet e pashfrytëzuara të kësaj partie. Në sjellim ide, për një mendim të ri politik, për një aksion të ri politik. Kjo strukturë është vetëvepruese, nuk merr porosi, por qëndron brenda kuadrit dhe filozofisë së Partisë Demokratike. Ne kemi vendosmërinë, guximin, pastërtinë të përballemi me të keqen, brenda dhe jashtë nesh. Qëllimi është një Shqipëri e drejtë dhe konkuruese”, deklaroi në fjalën e e tij mes të tjerave Fatbardh Kadilli, i cili është shfaqur hapur kundër kryetarit Basha të cilin e sfidoi edhe për postin në zgjedhjet e fundit.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike ndodhet në një krizë të rëndë. Jemi përsëri në opozitë. Jemi të përçarë dhe kemi lidershipin të kompromentuar përballë anëtarësisë. Gara për zgjedhjen e Kryetarit të ri ishte një mundësi e humbur dhe e keqpërdorur.
Në Manifestin Politik për Ringritjen e PD kam këmbëngulur për një PD më të madhe se Kryetari, për një PD më të madhe se vetvetja. Motoja ime ishte dhe mbetet për Një PD të Pastër, Të Hapur, Të Bashkuar dhe Fituese. Iniciativa Demokratike, me një logo domethënëse – iDE, është propozimi ynë i ri për demokratët dhe opozitarët.
Në këtë kohë të turbullt ne kemi propozimin tonë për demokratët: Grindja e brendshme, kriza e rëndë politike, përplasja mes dy kryetarëve po shpenzon energji, po bjerr moralin tonë politik dhe ka nxjerrë jashtë misionit të saj opozitar PD.
Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër. Asnjëri nuk bashkon, nuk forcon, nuk na shton, nuk fiton. Nuk jep një fokus të qartë e të vërtetë opozitar. Një alternativë konkuruese.
Pikërisht tek krijimi i alternativës qëndron propozimi ynë. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona.
Do të bëjmë opozitë. Një opozitë të re. Përballë pushtetit abuziv të Ramës, ne do të vijmë si një opozitë e pastër, opozitë konkuruese, opozitë që ngjall shpresë. Kjo opozitë e re do ketë propozime të besueshme, nga njerëz të besueshëm, në dobi të vendit.
Në përputhje të plotë me statutin e PD, ne sot shpallim krijimin e iniciativës demokratike si strukturë e PD-së jo mbi baza territoriale por sociale, profesionale, politike. Me shtrirje dhe veprim në gjithë territorin.
Ne sjellim ide. Në iDE ballafaqohen ide. Kush ka ide, vjen në iDE. Me mendim të ri politik, me sfida të vërteta politike, me aksion të njëmendtë politik. Për beteja politike thelbësore, programore dhe jo beteja rastësore.
iDE do të mobilizojë energjitë dhe talentin e pashfrytëzuar të demokrateve dhe opozitarëve.
Opozita nuk është ekskluzivitet i askujt. Partia edhe mund të bëhet monopol. Opozitarizmi jo!
Struktura e re, iDE është e përbërë nga politikanë me përvojë, me karrierë politike dhe administrative, por edhe njerëz të rinj, të shkëlqyer që duan të kontribuojnë
Ajo është vetvepruese. iDE është më e gjerë se anëtarët e PD. Ajo është një ftesë për çdo demokrat që nuk është PD-ist dhe për çdo qytetar që nuk është demokrat. Tek vetveprimi, tek hapja, tek konkurenca si filozofi e jetës, si dhe tek qytetari qëndron dallimi dhe e veçanta e këtij forumi të pangjashëm deri më sot.
iDE do të bëjë politikë që sjell dobi për qytetarin. Që zhvillojnë dhe lartësojnë familjen, ligjshmërinë, pronën private, tregun dhe meritokracinë. Ne kemi vendosmërinë, kemi guximin, kemi pastërtinë dhe durimin të përballemi me të keqen kudo. Brenda nesh dhe jashtë nesh. Qëllimi është një shqipëri me e mirë, më e drejtë, më konkuruese.