Bandat e drogës nga Shqipëria kanë nxitur trefishimin e numrit të kriminelëve të arrestuar e të dënuar në burgjet britanike. Shifrat e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se vitin e kaluar ky numër arrin në 726 persona nga shteti ballkanik, në krahasim me 267 persona në vitin 2013.
Shumica prej tyre janë dënuar për vrasje, drogë, abuzime seksuale, pastrim parash, kërcënime me vdekje etj. Shqiptarët tani përbëjnë grupin e tretë më të madh të të huajve të burgosur në Angli dhe Uells, pas kriminelëve irlandezë dhe polakë, duke kapur një një kosto prej rreth 53 milionë funte për tatimpaguesit.
Rreth 321 të burgosur janë dënuar për trafik droge, duke tejkaluar kështu edhe xhamajkanët që mbanin vendin e parë për këtë akuzë (122 persona).
Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) ka paralajmëruar se bandat e tregtarëve shqiptarë të drogës tani janë “një kërcënim i madh”, duke përdorur taktika gjithnjë e më të pamëshirshme për të mbrojtur biznesin e tyre, shkruan politiko.al.
Grupet e krimit të organizuar, nga një vend që ka një popullsi prej vetëm 2.9 milionë, tani kanë ndikim të madh në furnizimin me kokainës në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas “Dailymail”, në vitin 2016, policia arrestoi 2,781 shqiptarë, 8 për qind më shumë se në 2015-ën.
Deputeti britanik David Hanson, anëtar i komitetit për zgjedhjen e drejtësisë të Commons, tha se duhet gjetur një mënyrë që të arrestuarit nga Shqipëria të vuajnë dënimet në vendin e tyre.
“Është e rëndësishme që qeveria të gjejë një mekanizëm për të siguruar që ata t’i shërbejnë dënimet e tyre në Shqipëri në një kohë kur po përballemi me mbipopullim në burgjet britanike, ata duhet të largohen menjëherë”, u shpreh Hanson.
Nga Daily Mail