Deputeti Saimir Korreshi në lidhje Skype për Fax News shpjegoi për Egon Lolin se si mund të ishte qasur parlamenti ndaj kalimit të buxhetit. Mazhoranca e kaloi ligjin më të rëndësishëm për vitin e ardhshëm në vetëm pak minuta duke e lënë opozitën pa shprehur mendimin e saj mbi nenet e këtij buxheti.
Korreshi u shpreh se ato para nuk janë të xhepave të qeveritarëve apo të mazhorancës, por janë taksat tona. Sipas tij duheshin debate për buxhetin, por edhe Komisionet Hetimore që tashmë janë të ndaluara prej mazhorancës.
“Është një gjë. Nuk mund të vazhdosh me të njëjtën retorikë kur ty të mohohet kontrolli i veprimtarisë. Vërtetë kaloi për 4 minuta, por ti nuk mund ta kontrollosh. Ai mund ta kishte kaluar buxhetin edhe me 71 vota, por do ta kishte kaluar me tensione të forta realisht, sepse ne i kishim përgatitur dhe e dinim ku do derdheshin dhe si po vidhen fondet publike. I duket sikur janë nga xhepi i vetë, ndërkohë që janë taksat e juaja, taksat tona, të miat. Çdo njeri paguan taksa te buxheti i shtetit dhe nuk është vetëm i qeverisë. Ndaj them që do bëhet, ama si do ta kontrolloja këtë buxhet kur e vetmja armë që kemi, Komisionet Hetimore ishin ndaluar nga qeveria. Në të vërtetë, përveç denoncimit nga foltorja do të kishim edhe argument konkret. Bëhet argument politik edhe përmes dokumentacionit. Kur piqet dokumentacioni dhe ajo çka transmetohet bëhet diçka konkrete. Ju e dini që frika nga ajo e inceneratorëve ka lindur dhe shikoni çpo bëhet po gërmohet akoma me inceneratorët dhe po dalin emrat”, thotë Korreshi.
Sakaq, Korreshi shton se opozita nuk kërkon martirë apo heronj, por kërkon vetëm të zbatohet shteti i së drejtës dhe të ketë ndarje pushtetesh. Për çështjen e Berishës në SPAK, Korreshi shprehet se do të ishte mirë që gjyqësori të mbante një standardizim. Me rastin e Arben Ahmetaj u njoftua më së pari parlamenti prej Prokruroisë, gjë e cila nuk ndodhi me Sali Berishën.
“Nuk kërkojmë as heronj, as martirë as flijime, kërkojmë shtet ligjor. Kërkojmë ta kthejmë Shqipërinë atje ku ishte në demokraci, një ndarje pushtetesh. Pra legjislativi bënte veten e vetë, ekzekutivi punën e vetë dhe gjyqësor punën e vetë. Do doja dhe që gjyqësori të mbante një standardizim. Dhe në rastin e zotit Berisha, vetëm për procedurë do doja që të ishte të ndjekur procedura që u ndoq me zotin Ahmetaj. Ne nuk gjykojmë se çfarë letrash ka në dosje, as i hyj në gjynah, as dua të bëj një koment mbi anën logjike apo hetimore që bën SPAK. Por e inkurajoj. Por kur i thoshim që po ikën Arben Ahmetaj, ata vazhdonin e shtynin me 2 javë, 3 javë ngritjen e Këshillit të Mandateve të Deputetëve. Të njëjtën standard të kishin ndjekur edhe për zotin Berisha. Brenda dy tre ditësh do të ishte ngritur Këshilli. Zoti Berisha nuk është nga ata që mund të largohesh”, u shpreh Saimir Korreshi.