Maturantët në Berat janë ngritur në protestë për shkak të vështirësisë në testin e maturës në lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë ku sipas tyre ishte mbi nivelin mesatar dhe jo i mirëorganizuar. Ata thonë se nuk kishte lidhje me modelin që nxori Ministria e Arsimit, ndaj kërkojnë që të ulen kuotat për hyrjen në universitete.
Njëzëri gjithë maturantët beratas kërkojnë uljen e kuotave midis notave ose mosllogaritjen e notës së provimit të letërsisë në VKM. Ata pohojnë se teza e letërsisë nuk përfshinte 24 pyetjet e nivelit të ulët, ndërkohë që ndryshe nga maturat e të gjitha viteve të mëparshme u përfshinë 2 poezi nga më të vështirat që e bënë këtë testim të ishte mbi nivelin mesatar.
Disa prej deklaratave të nxënësve për gazetaren e Fax News në Berat, M.S: “Ishte nivel më i lartë se sa kishim pritur. Letërsia është gjithmonë e vështirë, ama gjuha nuk kishte asnjë lidhje me testin”.
“Ne u bazuam në testin që ministria nxori dhe ishte ndryshe nga modeli dhe u zhgënjyem. Nuk dolëm aq mirë sa prisnim”.
“Nuk u zbatua 40%, 20% dhe nuk kishte pyetje për nxënësit e nivelit të ulët dhe shumica e pyetjeve nuk ishte sikurse u nxorën në program”.
“Të ulen kuotat. Poezia është një prej gjërave më të rëndësishme dhe të vështira që ka letërsia, sidomos Lasgush Poradeci. Mund të them se dy poezi janë të tepërta, sidomos në periudhën e pandemisë”
Maturantët marshuan drejt godinës së drejtorisë arsimore ku morën kontakt me drejtoreshën e këtij institucioni Majlinda Xhamo ku i priti dhe i sqaroi mbi pretendimet që ata kanë ngritur.
(A.M/Faxweb.al)